Publikuar me datën: Thu, Apr 29th, 2010

EULEX-i bastis, Limaj vazhdon punën

Prishtinë, 29 prill – Fatmir Limaj ditën e enjte do ta vazhdojë punën.
Ai para mesnatës që ndan të mërkurën dhe të enjten ka paralajmëruar se në mëngjes do të dalë në punë si zakonisht, ndonëse gjatë ditës së mërkurë EULEX-i kishte bastisur shtëpinë dhe Ministrinë e Transporteve, ndërsa vetë Limaj kishte kaluar orë të tëra në takime të mbyllura me shefin e EULEX-it, ambasadorin amerikan në Kosovë dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
“Unë do të vazhdoj të kryej detyrat e mia të përditshme ashtu siç kam bërë deri më sot”, ka theksuar të mërkurën mbrëma, Limaj, ministër i Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit.
EULEX-i nuk ka dashur të komentojë arsyet e bastisjeve, ndonëse ato i ka kryer në kohë të ditës, duke mundësuar që ato të shndërrohen në spektakle mediale. Zëdhënësit e EULEX-it kanë theksuar se nuk mund të japin informacione shtesë, sepse hetimet janë në vazhdim e sipër. Ata kanë mbajtur publikun të painformuar, ndonëse në mesin e objekteve të bastisura ka qenë edhe një nga ministritë e rëndësishme shtetërore.
Njësitet speciale të policisë së EULEX-it kanë bastisur lokalet e Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit, shtëpinë e ministrit Fatmir Limaj në lagjen Veternik në Prishtinë, banesën e vëllait të ministrit, Florim Limaj, në qendër të Prishtinës, banesën e shefit të prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi, si dhe, së paku, tri kompani private që merren me asfaltimin e rrugëve. Pasi që i është bastisur banesa, shefi i prokurimit, Krasniqi, i shoqëruar nga avokati Bajram Tmava dhe nga tre pjesëtarë të policisë së EULEX-it, kanë shkuar në objektin e MTPT-së, por asnjëri nuk ka pranuar të flasë.
Vetë ministri Limaj, pas një takimi maratonik në zyrën e kryeministrit me shefin e EULEX-it, Yves de Kermabon, ka deklaruar se do të vazhdojë punën dhe projektet e tij si ministër. Ai nuk ka pranuar pyetje nga gazetarët, por ka shfaqur mëdyshje se EULEX-i mund të ketë pasur nevojë për ndonjë ndihmë.
“Sigurisht ata, (EULEX-i) kanë parë që u ndihmon ose kanë kërkuar diçka që mund t’u ndihmojë në proceset e tyre që u duhen dhe kanë bërë punën e tyre”, është shprehur Limaj, i cili është munduar të tregojë se nuk është fare i brengosur.
“Ajo që unë mund t’ju them, të nderuar gazetarë dhe përmes juve edhe bashkëpunëtorëve të mi, unë do të vazhdoj të kryej detyrat e mia të përditshme, ashtu siç kam bërë deri më sot edhe nesër edhe në të ardhmen vazhdoj me projektet që kemi filluar, vazhdoj me angazhimet në punën tonë dhe normalisht kjo është detyra jonë, të tjerët le ta bëjnë detyrën e tyre”, ka thënë ai.
Operacioni i bastisjeve ka vazhduar deri në orët e vona pas mesnatës, ndërsa EULEX-i nuk ka lëshuar kurrfarë deklarate për hetimet që janë duke u bërë. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, nuk ka treguar se cila është arsyeje e bastisjes së shtëpisë së Limajt dhe MTPT-në, pasi, sipas saj, aksioni i policisë është duke vazhduar ende. Sipas një njoftimi të lëshuar nga EULEX-i, aksioni i policisë është ndërmarrë me urdhër të Prokurorisë Speciale, mirëpo nuk kanë treguar se për çfarë dyshimesh është nisur ky aksion.
“Sot në orën 15:55, Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës. Kjo është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë (PSRK)”, ka bërë të ditur EULEX-i.
Megjithëse nuk është konfirmuar as mohuar asgjë, njësitet e hetuesisë së EULEX-it janë parë duke nxjerrë nga lokalet e MTPT-së, dokumentacion dhe hard disqe të kompjuterëve, të cilat i kanë konfiskuar në MTPT. Këto materiale janë nxjerrë nga MTPT-ja, me disa valixhe me ngjyrë të verdhë, me mbishkrimin “Digital Inteligence” që në shqip i bie “Inteligjenca digjitale”.
Bastisja nuk i ka penguar udhëheqësit e lartë shtetërorë për të zhvilluar takime maratonike në zyrën e kryeministrit dhe në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës.
Në kohë kur kishte filluar operacioni i bastisjeve, shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, po takohej me kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, në zyrën e tij. Zëdhënësja e EULEX-it, Limdal, ka deklaruar se ata mbajnë takime të rregullta vazhdimisht, mirëpo nuk ka treguar nëse takimi i së mërkurës ka qenë i rregullt. Por, pasi Kermabon ka lëshuar ndërtesën e Qeverisë në orët e pasdites, në zyrën e kryeministrit ka shkuar ministri Fatmir Limaj. Kermabon është kthyer sërish rreth orës 21:20 në ndërtesën e Qeverisë. Për këtë takim, Limdal ka thënë se nuk është fare në dijeni. Zyrën e kryeministrit e ka vizituar edhe ambasadori amerikan, Christopher Dell, i cili ka lëshuar takimin rreth orës 18:00, ndërsa takimit i është bashkuar edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Përveç këtyre, pjesëmarrës në takim kanë qenë edhe gazetari Baton Haxhiu dhe dikur rreth orës 21:30 ka ardhur edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Lutfi Haziri. Ky i fundit ka ngatërruar hyrjen në objektin e qeverisë dhe është drejtuar në pjesën e parkingut qeveritar, jashtë të cilit e kanë pritur gazetarët. Me të arritur në mesin e gazetarëve Haziri ka provuar që t’i tërheqë rrethojat, por pa sukses. Ai ka vazhduar tutje shkallëve për të hyrë në objekt kah hyrja kryesore dhe kur është pyetur nga gazetarët nëse është ftuar në takim, ministri Haziri është përgjigjur: “Mos e bëni film” dhe ka vazhduar ecjen me shpejtësi. Bastisja në MTPT,  në shtëpinë e ministrit Limaj dhe në disa lokacione të ndryshme i ka mbledhur të mërkurën edhe disa nga anëtarët e lartë të PDK-së.
Ka qenë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, njëherësh sekretar i përgjithshëm i PDK-së dhe ish-ministri i MTPT-së, Adem Grabovci, që i janë drejtuar selisë së partisë së tyre gjatë kohës kur bastisja po zhvillohej në objektet e MTPT-së. Në takimin që ka zgjatur jo më shumë se një orë, ka marrë pjesë edhe deputeti Nait Hasani, si dhe anëtarë të Degës së Prizrenit.
EULEX-i, por edhe Qeveria e Kosovës kanë qenë të mbyllur gjatë tërë ditës për medie, duke mos dhënë kurrfarë njoftimi se çfarë po ndodhte në lokalet e Qeverisë së Kosovës. Gjatë bastisjeve, nuk është raportuar për ndonjë incident, ndërsa mediet janë penguar nga familjarë dhe të afërm të tjerë të Limajt në lagjen Veternik, kur kanë shkuar për të marrë filmime në shtëpinë e Limajt. Por, ka qenë ministri Limaj, i cili është munduar të japë sqarime se çfarë po ndodh në shtëpinë dhe në ministrinë që ai e udhëheq.
“Unë e shoh si një proces krejt normal dhe një zhvillim normal për faktin se secili e kryen detyrën e vet. Dua të deklaroj para jush sot, se gjithmonë jam në dispozicion të të gjithë atyre që ne mund t’ua lehtësojmë realizimin e punëve të tyre profesionale, në realizimin e detyrave të tyre në këtë rast edhe hetuesisë edhe të gjithë mekanizmit hetimor, prokuroria, apo kushdo që të jetë aty”, ka thënë Limaj.
Ai ka shprehur vullnetin për të bashkëpunuar me organet e rendit, lidhur me hetimet që kanë nisur në institucionin që drejton ai.
“Njoftoj që jam në dispozicionin e tyre, në çdo kohë, në çdo moment me qëllim që t’u shërbej apo t’ua lehtësoj angazhimin dhe mandatin e tyre. Pushtetet janë të ndara, ata e kryejnë punën e tyre, ne e kryejmë punën tonë, në çdo kohë duhet të gatshëm t’u përgjigjem”, është shprehur ministri Limaj.
Ai është paraqitur shumë i painformuar para mediave për atë që po ndodh, duke deklaruar se, me gjasë EULEX-i është duke bërë hetime.
“Sipas të gjitha gjasave, ka hetime sikurse që ka gjithkund, ata e kryejnë punën e tyre, ndërsa ne jemi këtu për t’u ndihmuar kurdo që ata e shohin të nevojshme të kërkojnë ndihmën tonë, për të qartësuar ato të cilat mendojnë që duhet të sqarohen”, ka theksuar ai.
Ky aksion i EULEX-it ka ardhur pas deklarimeve të fundit të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, se EULEX-i duhet të jetë më efikas në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kësaj deklarate të BE-së i ka paraprirë kërkesa e një shteti anëtar të Kuintit, që ka kërkuar nga kryeministri Thaçi, largimin e një ministri që është i dyshuar për përfshirje në afera korruptuese.
Zëdhënësi i ICO-s, Andy McGuffie, dhe zyrtarja e Ambasadës Amerikane në Kosovë, Emilia Puma, nuk kanë dashur të prononcohen lidhur me zhvillimet e së mërkurës.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close