Publikuar me datën: Thu, Jun 16th, 2011

Dëshmitari “X” kishte menduar ta vriste Fatmir Limajn (e plotë)

Prishtinë, 16 qershor – Dëshmitari “X” pretendon se kishte planifikuar ta vriste Fatmir Limajn. Arsyeja pse dëshironte ta bënte këtë sipas këtij dëshmitari ishin kërcënimet që po merrte nga Limaj dhe grupi i tij.

Në pjesën e dytë të dëshmisë që i ka dhënë prokurorit Maorizio Salustro, dëshmitari bashkëpunues i koduar me shkronjën “X”, ka folur për raportet e tij me Limajn, takimet më të, planet për ta fajësuar Isak Musliun, veprimtarinë në Shërbimin Informativ të Kosovës etj.

“Pas aksidentit me veturë, që më ka ndodhur në Carralevë, isha aq i inatosur, sa për një kohë të caktuar madje kam menduar ta vras Fatmir Limajn. Tërë kohën kam qenë nën kërcënime nga grupi i Fatmirit. Ai ma ka bërë jetën mizerie”, ka thënë dëshmitari, sipas dosjes së EULEX-it, një kopje të së cilës gazeta e posedon, për të shtuar se në një moment kishte vendosur që të shkonte në KFOR, ta dorëzonte armën dhe ta denonconte ish-ministrin Limaj.

Dëshmitari ka thënë se pas përfundimit të luftës në vitin 2001 kishte marrë një urdhër nga Fatmir Limaj që të shkonte dhe t’i largonte trupat e varrosur në Kleçkë. Pasi kishte shkuar në shtëpinë e Skënder Shalës në Kleçkë sipas urdhrit të Limajt për ta “pastruar zonën”, “X”-i kishte shkuar në këmbë deri te vendet ku ndodheshin trupat e varrosur së bashku me Sabit Shalën dhe Naser Shalën. Mirëpo aty nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim pasi që sipas dëshmitarit, Sabit Shala dhe Naser Shala kishin “thënë të mos prekim asgjë”.

“Më vonë ne e takuam Fatmir Limajn në shtëpinë e Skënder Shalës në Kleçkë. Fatmiri më pyeti pse nuk e kisha bërë atë punë. Unë i thashë pyeti nipat e tu. Ata qeshën dhe thanë e bëjmë dajë, e bëjmë. Kurrë nuk e kam kuptuar pse ata hezituan ta kryenin punën, mendoj se e kishin nga përtesa”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se me Fatmir Limajn ka pasur marrëdhënie të mira që nga viti 1998, kur e kishte njohur, me gjithë lëkundjet që kishin pësuar këto marrëdhënie. Mirëpo sipas dëshmitarit pas përfundimit të luftës, Fatmir Limaj kishte dërguar Naser Krasniqin që t’i rrinte pranë.

“Unë e ndieja se ai kishte dërguar Naserin që të më përcillte se çfarë bëja. E di se Naseri operonte nën ombrellën e SHIK-ut. E di këtë sepse unë vetë kam punuar për SHIK-un për tre muaj pas luftës. Mbase kam qëndruar edhe më gjatë, por më kujtohet se i kam marrë tri rroga. Rroga ime ishte 500 marka gjermane në muaj me para në dorë”, ka thënë dëshmitari.

Veprimtaria nën komandën e SHIK-ut

Pas Nazim Bllacës, dëshmitari “X” është njeriu i dytë që tregon se ka punuar për Shërbimin Informativ të Kosovës, duke marrë përsipër edhe vepra penale të kryera në llogari të këtij shërbimi. Dëshmitari ka thënë se gjatë kohës sa kishte qenë në SHIK, Naser Krasniqin e kishte mbikëqyrës, derisa tri rroga i kishte marrë në para të gatshme nga Nezer Çoçaj. Ai ka thënë se një apo dy urdhra i kishte marrë nga Fatmir Limaj. Gjatë asaj periudhe ai ka thënë se i ishte dashur të shkonte në Ferizaj dhe ta spiunonte një person me emrin Emin, nga Carraleva. Ai kishte urdhër, siç ka thënë, që të gjente një moment të duhur dhe ta shkelte me xhip. Këtë ishte urdhëruar që ta bënte bashkë me Sabit Shalën. Mirëpo kjo nuk kishte ndodhur për shkak se Sabit Shala nuk dëshironte që të punonte me dëshmitarin “X”.

Urdhri tjetër që kishte marrë, dëshmitari ka thënë se kishte qenë për vrasjen e anëtarit të kryesisë së LDK-së në Malishevë, Fetah Rudi. Arsyeja pse duhej ta bënte këtë, sipas tiji kishte qenë se në atë kohë “ai ishte spiun që po fliste kundër Fatmir Limës”.

“Fatmiri urdhëroi që të vëzhgohej ky person. Më kujtohet se një herë ne kishim një takim në Prizren, në një kafe – bar të vogël afër ndërtesës së TMK-së që ta diskutojmë çështjen”, ka thënë ai. “Naser Krasniqi, Enver Hoti, Fadil Gajraku dhe një person tjetër që nuk më kujtohet ishin në mbledhje. Fatmiri nuk ishte aty. Naser Krasniqi dhe Fadil Gajraku ishin të ngarkuar me operacionin. Ata thanë se Fetah Rudi ishte person i rrezikshëm dhe më urdhëruan mua të vëzhgoja dhe studioja lëvizjet e tij në Prishtinë, pasi që Fetah Rudi jetonte diku në “Bregun e Diellit” dhe ta shikoja atë në mënyrë që unë të isha në gjendje ta njihja”, ka thënë dëshmitari në dëshminë dhënë prokurorit special të EULEX-it. Të nesërmen ai ka thënë se e kishin thirrur dhe i kishin thënë se plani kishte ndryshuar. Tek në një takim tjetër në Malishevë ishte vendosur të vritej Fetah Rudin te stadiumi i Prishtinës gjatë një manifestimi që pritej të mbahej aty.

“Në ditën e operimit së pari u takuam përsëri në Malishevë dhe udhëtuam të gjithë së bashku në Prishtinë. Gjersa ishim në Prishtinë, Naser Krasniqi më dha një pistoletë me zhurmëmbytës… Secili prej nesh ishte në secilën hyrje të stadiumit: Naser Krasniqi, Fadil Gajraku, Enver Hoti dhe një person tjetër që nuk më kujtohet, si dhe unë. Ne duhej ta vrisnim Fetahun gjersa hynte në stadium”.

“Fetahu hyri nëpërmjet portës ku po qëndroja unë. Të tjerët që ishin nëpër portat tjera filluan të më jepnin shenja që të më tregonin se ai djalë ishte yni. Por unë u bëra sikur nuk e njoha dhe nuk shtiva. Fetahu vërejti të tjerët duke bërë me shenjë, sepse i njihte ata. E kuptoi dhe iku nga aty”, ka thënë dëshmitari. Ai ka thënë se diku 10 apo 15 ditë më vonë ai ishte sulmuar me armë zjarri në fshatin Arllat nga një veturë në lëvizje. Nga ajo ditë Rudi ka mbetur në karrocë invalidore.

Kur është pyetur nga prokurori pse kishte qëndruar në SHIK kur nuk dëshironte të kryente vepra të dhunshme, dëshmitari “X” ka thënë se këtë e ka bërë nga frika. Edhe pas planifikimit për vrasjen e Fetah Rudit, dëshmitari ka thënë se ka qëndruar në SHIK, ku ishte marrë me disa çështje të vogla që i ka quajtur ai si drogë dhe prostitucion, ndonëse nuk po merrte më pagë nga SHIK-u.

“Udhëzimet që unë i kam marrë nga Naser Krasniqi ishin që të grumbulloja informata dhe t’ua kaloja karabinierëve italianë. Natyrisht unë shkova pa thënë se unë nuk do të raportoja asgjë në lidhje me aktivitetet ilegale të çfarëdo lloji që bëheshin nga anëtarët e grupit tonë. Ky ishte supozimi i përgjithshëm i qartë që nga fillimi për të që bashkëpunuan në çfarëdo mënyre me grupin. Një herë në javë kisha kontakte me karabinierët italianë dhe unë u jepja atyre informata. Më kujtohet emri i përkthyesit ishte Nikolla”, ka thënë ai.

Unë, Fatmiri dhe Haradini do ta fajësonim Isak Musliu

Dëshmitari ka treguar më tej se në vitin 2001 kishte marrë një telefonatë nga Fatmir Limaj, i cili i kishte thënë që të shkonte te nipi i tij Skënder Shala. Në atë takim kishin diskutuar për çështje e Haradin Balës. Dëshmitari ka thënë se Limaj i kishte thënë se Limajt tashmë ishte nën hetime dhe se kishte frikë nga Bala, porse dëshmitari i kishte garantuar se ai nuk flet. Aty ka thënë se e kishte vërejtur se “marrëdhëniet me disa njerëz në grupin e Limajt nuk ishin më të njëjta”.

“Kisha përshtypjen se ata kishin filluar të më frikësoheshin pasi që unë po merrja informata për drogë dhe prostitucion… Unë po ashtu dija se çfarë kishin bërë këta njerëz gjatë luftës. Ndoshta dija më shumë për ata dhe ndihesha se nuk më besonin. Fillova të ndihem se po përgjohesha. Në këto momente Naser Krasniqi ishte i vetmi njeri që i besoja”, ka thënë ai.

Një vit më vonë dëshmitari ka thënë se kishte marrë një telefonatë tjetër nga Limaj për një takim po në shtëpinë e Skënder Shalës. Aty ndodheshin vetëm ata tre, derisa Limaj i kishte propozuar që ta dërgonte në Tiranë me familjen time, ku do të merrte një shtëpi të mirë dhe identitet të ri. Të njëjtën kishte thënë se do ta bënte edhe për Haradin Balën, i cili ndërkohë po priste që të arrestohej. Limaj ishte arsyetuar se nuk donte që të shqetësohej për të dhe Balën.

“Shkova te Haradin Bala, e diskutuam këtë propozim dhe ishim në të njëjtën gjatësi të valëve se nuk dëshironim të largoheshim nga Kosova. Një takim tjetër ishte mbajtur me mua, Haradin Balën, Fatmir Limën dhe dhëndrin e Fatmirit, Sabri Zabërgja, në një kafe – bar në bodrum jo larg statujës së Nënës Terezë në qendër të Prishtinës, ku ishte baza e PDK-së dhe ende është. Haradini dhe unë i thamë Fatmirit se nuk dëshironim të largoheshim nga Kosova. Pastaj ai na kërkoi që ne ta mbronim dhe ta ndihmonim atë nëse do të arrestohej në ndonjë moment të caktuar”, ka thënë ai.

Dëshmitari “X” ka shtuar se Limaj i kishte udhëzuar se në rast gjykimi që të gjitha fajet do t’ia hidhnin Isak Musliut. “Ne do të ishim tre kundër njërit. Kjo ishte ideja e Fatmirit. Ne e respektonim atë, ishte lideri ynë. Pra në ramë dakord me idenë e Fatmirit. Ne po ashtu ramë dakord se nëse për çfarëdo arsye ajo strategji nuk do të ishte e mundur, atëherë unë dhe Haradin Bala do ta fajësonim veten dhe do ta mbanim Fatmirin të pastër”, ka thënë ai. Mirëpo para se të ndodhte kjo marrëveshje ai së bashku me Haradin Balën kishin shkuar dhe e kishin takuar Isak Musliun në Ferizaj. Në atë kohë Musliu i njohur si “Çerçizi” punonte në SHPK. Me të ishin marrë vesh që të nesërmen të takoheshin me Fatmir Limajn, mirëpo Musliu nuk kishte shkuar. Në takimin në Ferizaj ,Musliu kishte treguar se ishte intervistuar dy herë nga Policia e UNMIK-ut dhe priste të arrestohej.

“Më vonë Isak Musliu dhe Haradin Bala ishin arrestuar në Kosovë dhe Fatmir Limaj në Slloveni. Agim Murtezi po ashtu ishte arrestuar në vendin tim. Natën e arrestimit unë mora shumë telefonata. Kur më mori Naser Krasniqi më tha që ta ndalja telefonin”, ka thënë ai. Një ditë më vonë ishte takuar me Sabit Shalën në Prizren. Shala e kishte pyetur “X”-in se pse nuk ishte arrestuar ai teksa kishte mallkuar Hashim Thaçin dhe të tjerët në Qeveri, sepse sipas tij “ata të gjithë ishin prapa kësaj”.

“Në po të njëjtën ditë Naser Krasniqi më thirri për një takim në Duhël. Ne u takuam në orën 10 apo 12. Ai e përsëriti propozimin e Fatmirit që unë të shkoja në Tiranë. Këtë kohë për shkak të situatës së arrestimeve unë pranova”, ka thënë dëshmitari. Para se të niseshin për në Shqipëri, Naser Krasniqi kishte takuar një polic kufitar, Qamil Kronin, nga fshati Bllacë, i cili kishte premtuar se do t’ia mundësonte kalimin e kufirit për në Shqipëri.

“Ne shkuam për në kufi, Qamili dhe Naseri me një veturë të vogël ne të tjerët në xhip. Kur arritëm të kufiri unë dola nga vetura, të tjerët e kaluan kufirin me veturë. Qamil Kroni edhe pse nuk ishte në detyrë e menaxhoi situatën me policët tjerë dhe unë vetëm e kalova anën kufitare të Kosovë duke ecur në këmbë dhe as pa u kontrolluar aspak”, ka thënë ai. Pasi kishte kaluar kufirin ai ishte futur në një autobus që po shkonte për në Shqipëri. Atij i kishin dhënë një letër me një emër të një bari në Kukës. Në atë bar ai duhej të shkonte dhe të gjente një person të quajtur Fatmir, mirëpo para nuk i kishte dhënë dëshmitarit askush siç i kishin premtuar.

Pazaret për heshtjen

“Shkova e takova këtë Fatmirin. Ai merrej me pasaporta shqiptare të falsifikuara. Ai më dërgoi te një shok që kishte bar, i cili ishte oficer policie. Pastaj Naser Shala i telefonoi atij dhe i tha të më mbante atje derisa njëfarë Zef Thaçi të vinte nga Tirana që të më merrte. Qëndrova në Kukës tri ditë, pastaj vendosa të kthehem në Prizren. Iu shmanga vëzhgimit të njerëzve që i përmenda më herët dhe vetëm u ktheva në Prizren me taksi, emri i shoferit ishte Fazli”.

Në janar të vitit 2009 dëshmitari ka thënë se ishte nisur të shkonte së bashku me gruan e tij në gjykatë për të dëshmuar lidhur me aksidentin e komunikacionit që kishte pësuar në Carralevë. Para se të shkonte atje Halit Gashi ishte munduar qoftë direkt, qoftë nëpërmjet vëllait të gruas së dëshmitarit që të ndikonte tek ai që mos ta përmendte Fatmir Limajn.

“Në një moment të caktuar Haliti më ka thënë: ‘Do të ta gjejmë një punë në PTK dhe do t’i japim 50 mijë euro’. Unë i thash nëse është puna për para unë i dua 600 mijë euro nga Fatmir Limaj për këto vite që kam kaluar nga frika prej tij. Pas pak ai u përgjigj do t’i japim 350 mijë euro. Pastaj unë i kërkova 400 mijë euro. Në fund të këtyre negociatave qesharake ai tha do t’i japim 400 mijë euro, por unë u përgjigja: ‘Më vjen keq, por është shumë vonë dhe nuk dua të diskutoj më me ju’”, ka thënë dëshmitari dhe ka shtuar se kurrë për të këto negociata nuk kanë qenë të vërteta, por vetëm i kishte provokuar.

Ai ka treguar po ashtu për një sulm të armatosur që i ishte bërë më 21 qershor të 2009-s. Teksa po e priste djalin që t’i kthehej në shtëpi, diku në ora 23 e 15 minuta, djali ishte kthyer duke bërtitur “është Hakiu, shoku yt, dil jashtë”. Pasi kishte dalë jashtë kishte parë një veturë “Passat” ngjyrë kafe pa tabela të parkuar përpara oborrit të shtëpisë së tij, por nuk kishte arritur të shihte se kush ndodhej në të. Bashkë me të birin 16 vjeç ai i ishte afruar veturës kur dikush kishte shtënë një herë me armë në drejtim të tij. Ndonëse ishte rreth dy metra afër nuk e kishte kapur plumbi pasi që dëshmitari beson se nuk ka dashur t’ia lëndojë djalin. Posa e kishte larguar ai ishte sulmuar rreth tetë herë duke mbetur i plagosur në këmbë dhe në dorë.

“Mendoj se ka zbrazur një karikator, diku 8 apo 9 fishekë”, ka thënë ai.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close