Zhduket në Francë poeti Ali Podrimja

Medie në Kosovë kanë njoftuar sot se me poetin Ali Podrimja janë ndërprerë lidhjet që nga e marta. Ai ishte ftuar në festivalin e poezisë “Vox de la Mediterranii” në qytetin Lodeve në Francë. Shkrimtarja Ilire Zajmi, po ashtu e ftuar në këtë manifestim poetik, para pak çastesh ia konfirmoi “Kohës Ditore” se që nga ajo ditë nuk e kishte parë dhe se tashmë policia franceze ka shpërndarë fotografinë e tij me kërkesën që të njoftohej për vendndodhjen e tij.
“Është e vërtetë. Ai nga e marta është zhdukur. Policia dhe ambasada jonë këtu dhe po merren me rastin. Në qytet janë shpërndarë posterë me fotot e tij”, i ka thënë ai “Kohës…” përmes një mesazhi me telefon.
Artan Behrami, këshilltarë i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, u tha medieve se Ambasada e Kosovës në Paris ka kërkuar menjëherë nga autoritetet franceze që të ndërmerret gjithçka është e mundur për të identifikuar vendndodhjen e poetit.
“Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i shqetësuar shumë për këtë ngjarje, ka kontaktuar MPJ-në e Francës dhe ambasadorin francez në Kosovë, Jean Fraçois Fitou dhe ka kërkuar që të bëhet gjithçka për gjetjen e vendndodhjes së poetit Podrimaj”, citon Kosova Times këshilltarin Behrami
MPJ u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve kosovarë dhe francezë, që gjenden në Francë, e që kanë ndonjë informatë për vendndodhjen e poetit Ali Podrimja, të njoftojnë Ambasadën e Kosovës në Paris, autoritetet franceze apo MPJ-në e Kosovës.
Të afërmit, shokët dhe kolegët e tij pohojnë të mos kenë vënë re ndonjë simptomë të sëmundjes së harresës në poetin Ali Podrimja