Ymeri: Nehat Thaçi po mbahet si rob lufte nga regjimi fashist, kriminel, çetnik e terrorist

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar qasjen e shtetit të Kosovës në raport me arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi nga shteti serb.
Ymeri thotë se mund të mos jemi më në luftë me Serbinë, “por Drejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, po mbahet porsi një rob lufte në Serbi”.
“Sot, me 5 tetor, janë bërë 16 vjet prej se u rrëzua në Beograd regjimi i Milosheviqit. Mirëpo, projekti serbomadh e mënyrat kriminale të Milosheviqit tash janë bërë më të gjalla në Serbi edhe se kur vetë ai ishte gjallë. As Thaçi, as Mustafa, as Veseli dhe asnjë zyrtar i lartë i institucioneve të shtetit të Kosovës nuk guxojnë t’i quajnë Vuçiqin dhe regjimin e tij ashtu siç ata janë: fashistë, kriminelë, çetnikë, terroristë. Krejt çfarë bënë është se i thanë kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Elmi Reçicës, që të dalë me komunikatë e të thotë që nëse përsëriten këso raste arrestimesh (sic.), atëherë do të ndërpriten bisedimet me Serbinë! Pra, e pranuan që kanë hequr dorë nga lirimi i Nehat Thaçit sepse vetëm përsëritjen e arrestimeve e kanë hall. Dhe, e pranuan që bisedimet me Serbinë janë interes i Serbisë e favor i Kosovës ndaj saj”, ka thënë ndër të tjera, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.
Ai thotë se polici Nehat Thaçi nuk është as i paraburgosur e as i burgosur politik, “por një shqiptar i rrëmbyer në vitin 2016 i cili po mbahet si një peng lufte në kazamatet e Serbisë”.
“Shekulli XX ende nuk ka përfunduar”, përfundon ai.