VV thotë se punëtori i Kosovës sot është dy herë i shtypur

Lëvizja Vetëvendosje thotë se punëtori i Kosovës sot është dy herë i shtypur. Sipas këtij subjekti politik punëtori është i shtypur si shqiptar, të cilit i mohohet subjektiviteti politik, si pjesë e një populli që nuk pranohet si i barabartë e nuk pranohet si vetëqeverisës prej një pushteti ndërkombëtar, që udhëhiqet nga paradigmat neoliberale. Por ai është i shtypur edhe si shtresë e gjerë popullore, së cilës shpesh i mohohet puna tërësisht.
“Mbi punëtorin e Kosovës bien për pasojë dy detyra, të kundërshtojë shtypjen e popullit të vet dhe pabarazinë që i imponohet atij prej globalizmit korporatist dhe gjeopushtetit që e shoqëron, por edhe të luftojë për emancipimin e shoqërisë së brendshmi, zhvillimin e saj ekonomik e shtetëror, demokratizimin e pushtetit, dhe përfshirjen e vazhdueshme të qytetarëve në politikë, jo vetëm në ditën e zgjedhjeve. Sot më shumë se kurrë punëtorët dhe ata që janë në kërkim të punës, në Kosovë e gjetiu, kanë nevojë për organizim të drejtë e parimor, dhe për analizë të thukët të konditave të tyre, dhe të perspektivave të zhvillimit. Sot më shumë se kurrë ata kanë nevojë të rindërtojnë sindikatat e shkatërruara prej masave dhe reformave neoliberale, apo të delegjitimuara nga një pushtet korruptiv e nga elitat që sot, ashtu si dje, janë globale, ndërkombëtare, dhe përjashtuese për cilindo ndryshim në të mirë të popullit apo në të mirë të punëtorëve”, thuhet në reagimin e VV-së.
Kjo parti vlerëson se më shumë se kurrë punëtorët dhe ata që janë në kërkim të punës kanë nevojë të organizohen në protesta, kundër shkatërrimit të industrisë, kundër financiarizimit të ekonomisë.