Vetëvendosje nuk betohet para flamurit e Kushtetutës së Kosovës

Prishtinë, 7 shkurt – Katërmbëdhjetë mandatarët e lëvizjes Vetëvendosje, si dha katër nga komuniteti serb që kanë marrë mbështetjen e popullit për t’i përfaqësuar në legjislativ, mund të përjashtohen në fillim nga Kuvendi i Kosovës nëse refuzojnë të japin betimin e përcaktuar me Kushtetutën e vendit.
Të etiketuar si “rebelët e Kuvendit”, lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar një befasi për kosovarët në seancën e parë konstituive të Kuvendit të Kosovës, shkruan sot “Zëri”.
Duke e lënë përfundimisht si surprizë, megjithatë kanë lënë të kuptohet se nuk do të betohen para Kushtetutës dhe flamurit të Republikës së Kosovës, por do të bëjnë një betim tjetër që përkon me idenë dhe platformën e tyre për bashkim kombëtar.
Anëtarët e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes besojnë se duke kundërshtuar betimin me Kushtetutën e vendit ata shprehin ‘protestën’ ndaj këtij akti juridik. Kushtetuta e Kosovës për ta, as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e qytetarëve të Kosovës.
“Jo me Kushtetutë! Do ta bëjmë me një mënyrë tjetër, sikurse që i kemi pasur të veçanta edhe idetë edhe veprimet, edhe atë ditë do të jetë diçka e veçantë”, thotë Galuk Konjufca.