Vetëvendosje: Ndërhyrje e paligjshme dhe kundërkushtetuese e OSBE-së

Prishtinë, 29 shtator – Marrëveshja Thaçi-Daçiq, përveç dëmeve që solli në lidhje me sistemin e drejtësisë dhe atë të buxhetit të shtetit, ka prekur rëndë edhe funksionimin e institucioneve të pavarura. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke kaluar nëpër një proces, i cili po e rrënon pavarësinë institucionale. Nga institucion kushtetues e i pavarur, që organizon e garanton zgjedhjet në të gjithë vendin, KQZ-ja është kthyer në shkelësin kryesor të ligjit sidomos kur flitet për kërkesat e Beogradit, thuhet në një reagim të lëvizjes Vetëvendosje drejtuar opinionit.
“OSBE-ja solli 40 mijë aplikacione nga Serbia në mënyrë të paligjshme, pas afatit të shtyrë dy herë dhe me dokumente të falsifikuara. Këto po synon t’i verifikojë dhe vlerësojë kundërligjshëm, duke pretenduar t’i përfshijë në listën e votuesve. Të dy këta hapa përmbushin vetëm synimet e Serbisë për të ndryshuar karakterin demografik të Kosovës, duke e trefishuar numrin e votuesve serbë”.
Sipas VV-së, gjatë ditës së djeshme zyrtarë nga OSBE-ja dhe hetues nga EULEX-i, pa dijeninë e KQZ-së dhe pa vendim apo autorizim paraprak, kanë marrë në duar procesin e verifikimit të aplikacioneve të ardhura nga Serbia. Kjo me arsyetimin se KQZ-ja ka marrëveshje me OSBE-në, e cila ka buruar nga marrëveshja e 19 prillit 2013. Kjo është ndërhyrje e paprecedentë në një institucion të pavarur kushtetues.
OSBE-ja deri në orët e vona ka “verifikuar dhe hetuar” mijëra aplikacione, duke u përpjekur të korrigjojë paligjshëm aplikacionet dhe të ndikojë në aprovimin e tyre, thuhet më tutje në këtë reagim. Sekretariati i KQZ-së kishte verifikuar e vlerësuar të gjitha aplikacionet e sjella jashtëligjshëm nga Serbia përmes OSBE-së. Rezultati ishte se nga 40 mijë aplikacione vetëm rreth 3 për qind mund të pranoheshin në listën e votuesve. Raporti me këto të dhëna nuk u bë publik, me arsyetimin që procesi duhet rishikuar dhe duhet gjetur hapësirë për pranimin e 40 mijë aplikacioneve.
Ndërhyrja tjetër, si thekson Vetëvendosje, ndodhi po të dielën, më 28 shtator, me ç’rast KQZ-ja ka pranuar ekstraktin nga Regjistri Civil, të cilit i është bashkëngjitur kundërligjshëm një listë e veçantë me rreth 12 mijë emra serbë, me kërkesën që të përfshihen në listën e votuesve. Lista është dorëzuar nga autoritetet serbe përmes OSBE-së në Agjencinë e Regjistrimit Civil. Këta emra u përfshinë në databazën e agjencisë, me numra të letërnjoftimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë.
Secili prej këtyre veprimeve është antiligjor, antikushtetues dhe në mospërputhje të plotë me interesat shtetërore të Kosovës. Këto deformime serioze të listës së votuesve dhe më pas të regjistrit civil janë rezultat i drejtpërdrejtë i koncesioneve të bëra në Marrëveshjen Thaçi-Daçiq. Për këtë përgjegjës janë padyshim kryeministri aktual, Hashim Thaçi, por pa dyshim edhe çdo zyrtar i lartë i institucioneve të vendit që ka pranuar të vendosë pozitën personale para interesit të Kosovës, konkludon Lëvizja Vetëvendosje.