Vetëvendosja propozon Demaçin president

Podujevë, 4 prill – Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, në takimin e së dielës me përfaqësues të pikave në terren, të kryesuar nga Ali Lahu, për president të vendit ka propozuar veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, njofton “Zëri”.
Ky propozim ka dalë nga kjo parti pas situatës së krijuar në vend. Me qëllim që vendi të dalë sa më parë nga kriza institucionale e krijuar nga kryeneçësia e “fitueseve te zgjedhjeve” dhe indolenca e partive opozitare, u kërkua që në krye të shtetit të vjen një personalitet konsensual dhe i përshtatshëm për të gjithë, i cili do të përfaqësonte unitetin e popullit dhe do gëzonte përkrahjen e shumicës së deputetëve të Parlamentit të Kosovës.
Nga ky takim doli ideja se njeriu më i qëlluar për këtë pozitë në këtë moment është veprimtari i shquar i çështjes kombëtare Adem Demaçi.
Zgjedhja në këtë pozitë e Demaçit do te kthente dinjitetin e nëpërkëmbur të institucioneve të Kosovës dhe do të faktorizonte korpusin politik shqiptarë. Po ashtu, sipas VV në Podujevë, zgjedhja e Adem Demaçit për president të vendit do ishte një njohje e kontributit të tij nga elita politike dhe intelektuale për bëmat e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.