Veriut i ofrohen vetëqeverisja lokale, EULEX-i dhe KFOR-i

Një vetëqeverisje lokale dhe administrim të sigurisë e të sundimit të ligjit nga KFOR-i dhe EULEX-i po vlerësohet nga faktori ndërkombëtar si një zgjidhje disavjeçare për veriun e Kosovës. Qytetarëve të pjesës më problematike të Kosovës do t`u ofrohet edhe një pako e leverdishme ekonomike në mënyrë që pas përfundimit të fazës së përkohshme të integrohen në jetën institucionale të shtetit të ri, pa ua mohuar vetëqeverisjen lokale të garantuar me Planin e Ahtisaarit, emri i të cilit nuk do të përmendet, shkruan Koha Ditore e së shtunës. Burime të gazetës, të afërta me ekipin që po e përgatit bazën e dialogut Kosovë-Serbi, kanë shpjeguar se roli shtesë i KFOR-it dhe i EULEX-it në atë pjesë të vendit është i patejkalueshëm për shkak të mungesës së sundimit të ligjit për një kohë të gjatë dhe refuzimit të qytetarëve ndaj institucioneve të Kosovës.
Diplomatët aktualisht po i qarkullojnë dy plane, njëri i përgatitur nga Zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherinë Ashton, që e definon dialogun, mënyrën se si do të rregullohet çështja e veriut dhe përfaqësimi i serbëve të asaj pjese në institucionet e Kosovës, dhe një plan tjetër prej shtatë pikash, që diplomacia gjermane i ka prezantuar si kushte për Serbinë nëse dëshiron datën e dialogut për anëtarësim në BE.
Sa mendohet se do të zgjasë kjo fazë kalimtare, a do të pranojë Qeveria e Kosovës të rrisë numrin e ulëseve të garantuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb, a do të shpallë amnisti për qytetarët e veriut që kanë kundërvajtje dhe që nuk i kanë paguar shërbimet e ujit, të energjisë elektrike dhe taksat e tjera, çka ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe çka nënkryetari i AAK-së Blerim Shala. Këtë shkrim e gjeni të plotë në numrin e sotëm të gazetës.