Vazhdon bllokimi në trafikun ajror në Evropë

Londër, 18 prill – Miliona pasagjerë të bllokuar vazhdojnë të përballen me kaosin ajror, pasi që hiri vullkanik nga Islanda, i cili ka mbyllur pjesën më të madhe të hapësirës të Evropës, vazhdon të përhapet.
Rreth ¾ e fluturimeve ajrore janë anuluar të shtunën. Rreth 20 shtete kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore, ndërsa disa kanë zgjatur ndalimin e fluturimeve deri të hënën.
Çrregullimet tani janë më të mëdha se ato pas 11 shtatorit 2001 dhe aktiviteti vullkanik nuk tregon asnjë shenjë rënieje.
Dy aviokompanie, KLM e Holandës dhe Lufthansa e Gjermanisë, kanë kryer me sukses disa fluturime provë.
KLM njoftoi se njëri nga aeroplanët e saj, një Boeing 737, ka arritur lartësinë më të lartë operuese prej 13 km në qiejt mbi Holandën, dhe nuk ka pas asnjë problem gjatë fluturimit. Aeroplani dhe motorët e tij janë inspektuar për probleme të mundshme.
Gjithashtu, edhe Lufthansa ka njoftuar se ka kryer disa fluturime nga Frankfurti në Munich pa probleme.
Ndikimi nga hiri vullkanik si duket do të tejkalojë mbylljen e hapësirës ajrore pas 11 shtatorit 2001, deklaroi Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil.
Hiri vullkanik ka pas dje dhe sot ndikime të drejtpërdrejta edhe në trafikun ajror të vendeve të Ballkanit. Praktikisht, të gjitha vendet e rajonit për shkaqe të sigurisë të shtunën anuluan pothuaj të gjitha fluturimet nga aeroportet e tyre. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës u anuluan afër 40 fluturime. Në aeroportin e Rinasit, po kështu, u pezulluan 30 fluturime të planifikuara, ndërkohë që reduktime të theksuara të fluturimeve pati edhe në Serbi, në Kroaci, në Maqedoni dhe në vendet e tjera të Ballkanit.
Sipas zëdhënësit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Altin Ahmeti, të shtunën janë anuluar pothuajse shumica e 40 fluturimeve të parapara për sot, më përjashtim të fluturimit për Tiranë dhe atij për Zagreb.
“Vetëm këto dy fluturime janë realizuar, pasi shumica e aeroporteve në vendet evropiane janë mbyllur. Ende nuk kemi informacion se kur do të zhbllokohet kjo gjendje”, tha për Telegrafin zëdhënësi Ahmeti.
Kaosi i trafikut ajror për shkak të reve të hirit vullkanik i prodhuar nga shpërthimi i vullkanit në jug të Islandës i cili ka përfshirë gati gjysmën e Evropës. Praktikisht, sipas raporteve nga vendet evropiane, e tërë hapësira ajrore nga Britania deri në vendet Baltike, si dhe në jug deri në Ballkan, është mbyllur plotësisht ose pjesërisht, mijëra fluturime janë anuluar, kurse bota sheh e shqetësuar përhapjen e hirit vullkanik nga Islanda.
Zyrtarët e kontrollit të fluturimeve kanë paralajmëruar se çrregullimet nga reja e madhe e hirit vullkanik pritet të zgjasin edhe gjatë ditës së diel, ndërsa operimet normale të aeroplanëve mund të vazhdojnë pas disa ditëve.