Ukë Rugova hap debate në LDK

Prishtinë, 1 shtator – Në LDK nuk janë entuziazmuar nga lajmi se Ukë Rugova po hyn në politikë. Anëtarë të Kryesisë thonë se çdokush është i mirëseardhur në LDK, duke mos i dhënë dimension të veçantë inkuadrimit në politikë të djalit të Presidentit të ndjerë. Njerëzit e Fatmir Sejdiut frikohen se Ukë Rugova mund të rreshtohet kundër tyre në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor.
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe njerëzit përreth tij nuk duket të jenë entuziazmuar edhe aq nga lajmi se Ukë Rugova, djali i dytë i ish-presidentit Ibrahim Rugova, po hyn në Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan e përditshmja e Prishtinës, Express.
Rugova Junior e ka bërë të qartë se nuk ka ambicie për postin e Kryetarit të LDK-së, por njerëzit e Fatmir Sejdiut frikohen se ai mund të rreshtohet kundër tyre në Kuvendin e ardhshëm Zgjedhor.
Veçanërisht ata kanë drojën se djali i Presidentit të ndjerë mund të dalë në krahë të Bujar Bukoshit, Ministrit aktual të Shëndetësisë, i cili duket se po mendon seriozisht që ta sfidojë në dhjetor Fatmir Sejdiun.
Pikërisht për këtë, Ramë Manaj, Sekretar i Përgjithshëm i LDK’së dhe njeri i afërt i Presidentit, e ka sulmuar fuqishëm Bujar Bukoshin, derisa ka tentuar ta minimizojë rëndësinë e inkuadrimit në politikë të Ukë Rugovës.
“Bujar Bukoshi nuk është anëtar i LDK-së. Ai është përfaqësues i PReK-ut”, ka deklaruar Sekretari Manaj.
“Nuk ka pse të frikësohet në LDK askush me ardhjen e Ukë Rugovës. Ne jemi të hapur. Ne po duam përtëritje, modernizim. Ne po duam fuqizim. Këto nuk bëhen pa forca të reja”, citon Manajn Express