U promovua Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë

Prizren, 17 maj – (E plotësuar) Kryeqyteti historik i Lidhjes Shqiptare, Prizreni, mblodhi sot liderët e Shqipërisë e të Kosovës për një rast të veçantë, i cili po ashtu është historik – promovimin e Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Në ceremoninë e organizuar ishin të pranishëm presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe krerët e qeverive të dy vendeve, Hashim Thaçi e Sali Berisha si dhe zyrtarë të lartë të dy vendeve.
Kryeministri Thaçi, në këtë manifestim tha se kjo është një ditë historike për kombin shqiptar, ndërsa Berisha e cilësoi abetaren si kryevepër të dijes, që i dhurohet kombit shqiptar.
Berisha promovoi në Prizren Abetaren gjithëkombëtare
Prizren, 17 maj – 11:02 – Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në këto momente po promovon në Prizren Abetaren e parë gjithëkombëtare, e cila do të përdoret nga vjeshta e këtij viti në të gjitha shkollat shqipe në Shqipëri e Kosovë.
Duke e vlerësuar si jnë moment historik, Abetaren gjithëkombëtare kryeministri Berisha e quajti margaritar të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe një moment domethënës për gjithë kombin, në rrethana kur Kosova është e pavarur.
Ceremonia po zhvillohet në Qendrën Sportive “Sezai Surroi’’, ku po merrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashimi Thaçi dhe autoritete nga Shqipëria e Kosova.
Më 24 prill ishte përzgjedhur teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Teksti ka katër autorë, dy nga Shqipëria, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj si dhe dy nga Kosova, Islam Krasniqi dhe Saranda Kumonova Pozhegu. Ndërsa grafika është realizuar nga Lorenc Buzi.
Përzgjedhja është bërë nga komisioni vlerësues me përfaqësues të dy vendeve. Në garë ishin 13 Shtëpi Botuese, nga të cilat fituese është shpallur Shtëpia Botuese “Pegi” dhe shoqëria “Dukagjini”.