Thaçi: Kosova e gatshme për liberalizimin e vizave

Prishtinë, 17 qershor – Kryeministri Hashim Thaçi në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Bruksel sot është takuar me komisionarin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fuele, bën të ditur Zyra për komunikim me publikun e kryeministrit. Me këtë rast ai i ka prezantuar këtij të fundit të arriturat e Kosovës dhe përkushtimet për të plotësuar kriteret për pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, thuhet në një kumtesë të Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri ka udhëtuar dje për në Bruksel dhe atje do të zhvillojë takime me udhëheqës të lartë të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe krerë të lartë të shtetit belg.
Bëhet e ditur se gjatë takimit të Thaçit me Fuelen temë bosht e diskutimeve ka qenë thellimi i përkushtimit të institucioneve të Kosovës për perspektivën evropiane, procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe marrëveshja tregtare me BE-në.
Kryeministri Thaçi ka theksuar përkushtimet e vazhdueshme të Kosovës për qeverisje të mirë, efektive dhe transparente, për sundimin e rendit dhe ligjit dhe për respektimin afirmativ të komuniteteve. Ai ka prezantuar edhe të arriturat e vendit tonë dhe përkushtimet për të plotësuar kriteret për pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. “Kosova është në pritje të rekomandimeve të BE-së për pyetësorin për marrëdhëniet tregtare. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgatitur dhe e gatshme për pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, ka thënë Thaçi. Sipas tij, Kosova tashmë ka ndërtuar raporte shumë të mira me fqinjët e saj, si me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dhe është e interesuar të ndërtojë raporte të mira fqinjësore si dy shtete të pavarura edhe me Serbinë, në shërbim të bashkëpunimit rajonal.
Me këtë rast, përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë falënderuar kryeministrin Thaçi për suksesin e arritur nga Qeveria e Kosovës në përmbushjen e kritereve teknike në funksion të pranimit të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Ata kanë siguruar që deri në fund të verës, pritet që Kosova të pranojë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.
Duke folur për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Thaçi ka kërkuar mbështetjen e Stefan Fueles për arritjen edhe të një vote shtesë të nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm financiar. Ndër të tjera, kryeministri Thaçi është zotuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të mirë me EULEX-in dhe Komisionin Evropian, sidomos në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe në forcimin e sundimit të ligjit.