Thaçi inspekton Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz

Skenderaj, 18 prill – Numri një i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka “sakrifikuar” një pjesë të vikendit të tij, të dielën paradite, për të inspektuar punimet qe po zhvillohen në ndërtimin e Kompleksit Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz.
Pasi ka bërë homazhe në varrezat e Jasharëve, i shoqëruar nga kryetari i komunës, Sami Lushtaku, ai ka kontaktuar punëkryersin nga i cili ka kërkuar angazhim edhe më të madh në përfundimin e këtij projekti nacional.
“Mendoj se punimet janë duke vazhduar mjaft mirë, por natyrisht se kërkohet angazhim edhe më i madh, kurse nga ana e saj Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryej të gjitha obligimet që i ka, për të përfunduar sa më shpejt ndërtimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, simbolin e unitetit të popullit të Kosovës, simbolin e çlirimit e vendit, lirisë dhe shtetit të Kosovës, por edhe të shqiptarisë dhe civilizimit perëndimor”, ka deklaruar kryeministri Thaçi. Sipas tij në 2 vitet e fundit punimet janë intensifikuar në këtë Kompleks, dhe ka premtuar rritjen e angazhimeve tjera financiare nga ana e qeverisë.
Kryeministrin në këtë inspektim e kanë shoqëruar edhe Lulëzim e Bekim Jashari.