“Terrori Komunist në Shqipëri” në një libër

Një përmbledhje e krimeve të komunizmit deri në vitet ’90, vjen në formën e një botimi me dokumenta dhe fotografi titulluar “Terrori Komunist ne Shqipëri”. Albumi është forma e shtypur e ekspozitës me të njëjtin emër çelur vitin e kaluar në Muzeun Kombëtar, bën të ditur AS. Në të ndodhen disa nga dëshmitë më rrëqethëse të krimeve të diktaturës.
“KY është një dokumentacion që sot hidhet për herë të parë, kalon në bibliotekat e shtetit, kalon në shitje të lirë. Është një dokumentacion i cili ne shpresojmë të kemi realizuar diçka të rëndësishme. Është bërë një punë e kujdesshme, është bërë një punë që të ketë vlerë historike dhe shpresojmë të kemi edhe vlerësime nga opinioni i përgjithshëm”- thotë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi.
Sipas drejtorit të Muzeut, ky botim përpiqet të vërtetojë edhe nëpërmjet dokumentave arkivorë se regjimi komunist shqiptar, një model i atij Stalinist, ka qenë ndër më të egrit në Evropë.
“Pyetja e parë që mund të bëjë çdo njeri është: Ky terror ka qenë karakteristikë për vendet e Lindjes në përgjithësi apo Shqipëria zë një vend të veçantë? Unë besoj se i jep përgjigje këtij problemi. Për botimin tonë mund të ketë vërejtje, mund të ketë gjykime të ndryshme, por Muzeu e përmbledh dokumentacionin kryesor dhe i jep përgjigje këtij problemi kulmor”- thotë Malltezi.
Albumi do të jetë pjesë e librarive dhe bibliotekave, ndërkohë që e ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë e hapur në muze për një kohë të pacaktuar.