Publikuar me datën: Mon, Aug 29th, 2011

Tensionet ngadalësojnë krijimin e komunës së Mitrovicës së veriut

Prishtinë, 29 gusht – Zhvillimet e muajit të kaluar në veri të Kosovës që janë karakterizuar me tendosje të situatës nga elementët ekstremë serbë nuk kanë ndaluar përpjekjet për krijimin e komunës së re të Mitrovicës së veriut, edhe pse kanë ndikim në ngadalësimin e procesit kanë bërë të ditur autoritetet përgjegjëse vendore dhe ndërkombëtare. Përfaqësuesit e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe ata të Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se Ekipi Përgatitor Komunal për krijimin e komunës së Mitrovicës së veriut është duke bërë përpjekje graduale për shtrirjen e ndikimit te komuniteti serb, duke shpjeguar përfitimet që sjell procesi i decentralizimit, por edhe vendosja e ligjit kundruall paqëndrueshmërisë së status quo-së.

“Ekipi Përgatitor Komunal ka vazhduar punën përkundër ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës. Ka një dëshirë të qartë te komuniteti që EKP-ja të vazhdojë aktivitetet e saj e që nuk kanë lidhshmëri me ato ngjarje”, citon “Koha Ditore”  zëdhënësin e ICO-s, Andy Mcguffie.

Sipas tij ky disponim ka bërë që EKP-ja të mobilizohet për krijimin e komunës Mitrovica e veriut, në bashkëpunim me komunitetin duke zbatuar projekte me përfitime të prekshme, derisa ka angazhime edhe për kompletimin e përgatitjeve teknike për krijimin e komunës së re.

“EPK-ja ka rritur kapacitetin e saj në terren, mban takime të rregullta me qytetarët dhe grupet e komunitetit dhe është duke punuar çdo ditë për të shpjeguar përfitimet e decentralizimit dhe krijimit të një komune të re. Reagimet e kohëve të fundit tregojnë një rritje të ndjeshme të njerëzve të cilët e njohin rëndësinë e krijimit të një komune të re dhe ofrojnë mbështetje për projektet e EPK-të dhe të investimeve në qytet”, ka deklaruar McGuffie.

Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, ka pohuar se institucionet do të vijojnë përkushtimin për normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës, pasi që përkundër situatës së gjithëmbarshme qytetarët e kësaj pjese kanë vullnet dhe gatishmëri për ndryshimin e jetesës së tyre dhe të familjeve të tyre. Sipas tij, MAPL-ja e EKP-ja në koordinim me faktorin ndërkombëtar do të vijojnë përgatitjet për zbatimin e decentralizimit të qëndrueshëm, i cili do të aplikohet me kujdes dhe durim. Petroviq ka përkujtuar se serbët e veriut janë nën presion të shtuar të elementëve ekstremë dhe nën ndikimin çorientues të Beogradit, të cilët faktorë vështirësojnë ndryshimin e shpejtë të gjendjes. Mirëpo ai është zotuar se do të ndërmerren të gjitha veprimet për normalizimin e jetesës së këtyre qytetarëve, pavarësisht nga afatet kohore.

“Dua të ritheksoj qëndrimin se detyra ime si zv.kryeministër dhe ministër i MAPL-së është që të punoj për të mirën e secilit qytetar, duke përfshirë ata të veriut të Kosovës dhe përparësia jonë është dhe do të jetë normalizimi i jetesës së qytetarëve, meqë ata vuajnë më së shumti në këtë situatë”, është shprehur Petroviq.

ICO-ja dhe MAPL-ja, pa afat për zgjedhjet

Përkundër angazhimeve të EKP-së në terren dhe përpjekjeve politike të ICO-s dhe MAPL-së ende nuk është arritur deri te caktimi i afatit të përafërt kohor për shpalljen e zgjedhjeve për komunën e Mitrovicës së veriut. Madje zyrtarët e pranojnë se nuk ekziston limiti kohor.

“Ne vazhdojmë që të jemi në kontakt me partitë politike dhe aktorët potencialë politikë në veri. Zgjedhjet do të shpallen atëherë kur të bëhen përgatitjet e nevojshme dhe të ndahen burimet. Ne besojmë se përqendrimi nuk duhet të jetë në afate kohore artificiale por në përparimin e prekshëm në terren”, ka thënë zëdhënësi i ICO-s, McGuffie.

Ndërkaq ministri Petroviq ka pohuar se përkundër përgjegjësive që ka si udhëheqës i MAPL-së, shpallja e zgjedhjeve për komunën e Mitrovicës së veriut varet edhe nga faktorë tjerë të rëndësishëm.

“Organizimi i zgjedhjeve në veri është në lidhje direkte me instalimin e një sistemi politik që është në përputhje me interesat e qytetarëve. Për fat të keq për 12 vjet ajo pjesë udhëhiqet nga një strukturë ekstremiste që realizon vetëm interesat e veta pa i respektuar interesat e qytetarëve të veriut. Prandaj prioritet yni është që të punojmë për përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe deri te progresi në veri të arrijmë me durim dhe hapa të menduar mirë që do të mirëpriten nga komuniteti”, ka thënë Petroviq.

Ai ka pohuar se nuk dëshiron që të parashikojë situata apo detaje në lidhje me këtë proces, por ka shprehur bindjen se dialogu me lehtësimin e Brukselit do të sjellë dinamikë të re dhe gjetjen e zgjidhjeve sipas parimeve evropiane. “Dua të besoj se te të dyja palët ka njerëz të përgjegjshëm dhe seriozë të cilët do ta kuptojnë rëndësinë e normalizimit të gjendjes në veri të Ibrit”.

Veprimtaria e anëtarëve të EPK-së përcillet me ngacmime e frikësime

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, pati emëruar 14 anëtarët e Ekipit Përgatitor Komunal për krijimin e komunës së Mitrovicës së veriut në shkurt të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë sipas gjetjeve të raportit  “Sovraniteti i dyfishtë në praktikë” i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, EPK-ja në veri të Mitrovicës është ballafaquar me frikësime dhe ngacmime të shumta sa që anëtarët e tij nuk kanë qenë në gjendje që të punojnë publikisht. Sipas këtij raporti puna e Ekipit është reduktuar në projekte triviale, sikur shpërndarja falas e lëndëve djegëse në kampet e të zhvendosurve, organizimi i një gare në fotografi, derisa si projekt më i madh është cilësuar renovimi i një këndi fëmijësh në Mitrovicë të veriut.

“Me hasjen në kundërshtime të investimeve modeste dhe shtyrjes së anëtarëve të tij në fshehtësi, EPK-ja nuk ka mundur që të lëvizë drejt detyrës kryesore: përgatitjen e zgjedhjeve komunale”, thuhet në këtë raport, ku po ashtu është theksuar se “as Policia e Kosovës e as EULEX-i nuk kanë qenë efektivë në mbrojtjen e anëtarëve të EPK-së nga ngacmimet e dhunshme”.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, ka sqaruar se pjesëtarët e policisë nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë të kësaj natyre. “Kërkesë për mbrojtjen fizike dhe siguri të anëtarëve të EPK-së nuk ka pasur deri më tani”, ka thënë Hoti. Sipas tij nuk ka pasur as raportim zyrtar për raste të kërcënimeve apo ngacmimeve, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ato të kenë ndodhur.

Hoti ka pranuar se anëtarët e këtij mekanizmi veprojnë në terren me identitet konfidencial. Ndërsa zëdhënësi i EULEX-it për veriun, Hanns-Christian Klasing, ka pohuar se sigurimi dhe siguria publike edhe për instalimet statike sikurse në tërë Kosovën edhe në veri ofrohet nga Policia e Kosovës, si reagues të parë. “Vetëm në rrethana të caktuara EULEX-i mund të intervenojë dhe të ofrojë përkrahje për Policinë e Kosovës, si reagues i dytë”, ka thënë Klassing. Gjithashtu ai ka përkujtuar se EULEX-i është mision teknik i sundimit të ligjit dhe se çështjet që kanë të bëjnë me EPK-në janë politike, që derivojnë nga Plani i Ahtisaarit, i cili nuk paraqet bazë për mandatin e EULEX-it.

Sfida për zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisaarit

Krijimi i komunës së re të Mitrovicës së veriut është njëra nga dispozitat e Pakos së Ahtisaarit, që parasheh krijimin e dy komunave në Mitrovicë, jug dhe veri, të cilat do të funksiononin me një bord të përbashkët, derisa strukturat paralele do të shuheshin. ICO-ja dhe Qeveria e Kosovës po ballafaqohen me shumë sfida për jetësimin e këtyre neneve. Këtij procesi i ishte kushtuar rëndësi edhe në Strategjinë për Veriun, që po ashtu po zbatohet me shumë vështirësi.

Refuzimi i kësaj pakoje nga Beogradi dhe nxitja e rezistencës ka bërë që nisma e krijimit të komunës së re të shihet me mosbesim nga serbët e veriut. Zëdhënësi i Qeverisë së Serbisë, Milivoje Mihajloviq, kohë më parë pati deklaruar se çdo veprim i ICO-s dhe Prishtinës në veri është i papranueshëm për Beogradin, ngase ato kanë për qëllim forcimin e institucioneve të Kosovës së pavarur. Sipas tij, institucionet serbe në veri janë të vetmet legjitime që kujdesen për mirëqenien e komunitetit serb dhe si të tilla gëzojnë përkrahjen e popullatës dhe nuk u nënshtrohen joshjeve të Prishtinës apo ICO-s.

Madje në mes të muajit korrik vetë i shefi i ICO-s, Pieter Feith, pati pranuar se krijimi i  komunës në pjesën veriore të Mitrovicës nuk do të mund të realizohet pa përkrahjen e Beogradit.

“Duhet të jemi realë që ka shqetësime dhe ka limite, por duhet të punojmë në rezistencën lokale në veri dhe kjo do të na marrë kohë. Për këtë neve na duhet bashkëpunimi me Beogradin, sepse varet nga Beogradi nëse do ta bindë komunitetin serb në veriun e Kosovës që e ardhmja e tyre është decentralizimi, ndonëse përkushtimi për komunën e re do të vazhdojë edhe më tej”, pati thënë Feith pas takimit të Grupit Ndërministror për Decentralizimin.

Zëdhënësi i ICO-s, Andy Mcguffie, ka pranuar se kjo çështje është një sfidë nga e cila varet zbatimi i plotë i dispozitave të Pakos së Ahtisaarit, të cilin obligim e ka marrë përsipër Prishtina zyrtare.

“Përgjegjësia për zbatimin e Propozim-Planit të Përgjithshëm është mbi institucionet e Kosovës”, ka thënë Mcguffie, duke sqaruar se nga kjo varet edhe vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mbylljen e Zyrës së ICO-s, që planifikohet të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm.  “Ky vendim varet nga përparimi i bërë në zbatimin e Propozim- Planit të Përgjithshëm”, ka përfunduar McGuffie.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close