Tahiri: Nuk ekziston problemi i Mitrovicës

Washington, 6 mars – Drejtuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ka deklaruar se shtyrja e dialogut ka ardhur si pasojë e nevojës për ngritjen e institucioneve të reja.
Duke folur mbrëmë në një intervistë për VOA, Tahiri është shprehur se në procesin e ri të bisedimeve do të diskutohen vetëm çështje teknike.
“Ne do të shkojmë në bisedime si shtete të pavarura pasi për ne statusi është një çështje e mbyllur”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas saj, këtë tezë e ka mbrojtur edhe nënsekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg, i cili ka vizituar së fundmi Prishtinën.
Ajo e ka vlerësuar si të pamundur realizimin e synimit të Beogradit për të diskutuar sërish çështjen e statusit, pasi sipas saj një gjë të tillë nuk e mbështet faktori ndërkombëtar.
“Në bisedime do të jenë BE, SHBA dhe Beogradi me Prishtinën. Njëra palë nuk mund të imponojë e vetme temën e bisedimeve. Çështja e statusit është e përfunduar”, ka pohuar Tahiri.
Kryenegociatorja ka shtuar më tej se në procesin e ri nuk do të diskutohet as opsioni i përfolur për ndarjen e Kosovës, pasi veriu është pjesë e territorit të shtetit të ri.
“Nuk ekziston as çështja e veriut dhe as çështja e Mitrovicës. Ajo që ekziston është çështja e një pjese të serbëve që jetojnë në pjesën veriore, të cilët që nga paslufta kanë hezituar të bëhen pjesë e realitetit të Kosovës dhe ndikohen nga Beogradi”, ka shtuar Tahiri.
Zëvendskryemnistresha e Kosovës, Edita Tahiri, dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ndodhen për një vizitë në SHBa, ku janë takuar me zëvendëssekretarin e Shtetit, James Steinberg, në prag të bisedimeve me Serbinë.