Të shtënat shqetësojnë mitrovicasit, kërkojnë konfiskimin

Policia e EULEX-it dhe e Kosovës së bashku me KFOR-in, duhet të angazhohen maksimalisht për të identifikuar personat që shtinë me armë zjarri, t’i konfiskojnë ato e me këtë ndërpritet kjo praktikë që vazhdimisht po i shqetëson qytetarët e Mitrovicës. Këto komente janë bërë të hënë në takimin e sigurisë në Mitrovicë. Në këtë takim po ashtu është vlerësuar se zgjedhjet e Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës dhe të Koosovës, të organizuar nga OSBE-ja, kanë kaluar qetë dhe pa incidente.
“Zgjedhjet e organizuara nga OSBE-ja për balotazh për kryetar të Serbisë, që janë mbajtur në veri të komunës dhe të vendit, kanë kaluar pa probleme dhe incidente”, ka thënë kryetra i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati. Por ai ka shfaqur shqetësimin se në veri të qytetit gjatë natës së kaluar ka pasur të shtëna të shumta nga armë zjarri, që supozohet të jenë bërë për shkak të fitores së Nikoliqit. Të shtënat kanë shqetësuar tej mase qytetarët që jetojnë në atë pjesë, e kryesisht ata jo serbë. Kastrati ka kërkuar nga të gjithë që të jenë kujdesshëm dhe që situatën në veri ta përcjellin me vëmendje, pasi që koha ka treguar se ajo mund të ndryshojë në çdo çast. Kastrati ka kërkuar nga policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i të angazhohen maksimalisht për të identifikuar personat që shtinë me armë zjarri, dhe t’i konfiskojnë ato për të ndërprerë këtë praktikë që vazhdimisht po i shqetëson qytetarët.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Mitrovicës, Behxhet Bala, tha se situata mbetet e brishtë dhe e tensionuar. Strukturat paralele kanë organizuar gjatë ditëve të kaluara disa protesta dhe kanë shtënë vazhdimisht me armë zjarri, për ta mbajtur situatën të tensionuar.
Komiteti për Siguri i komunës së Mitrovicës e ka dënuar sulmin e ekstremistëve ndaj gazetarëve shqiptarë dhe ka kërkuar që organet e rendit dhe të sigurisë t’iu mundësojnë gazetarëve shqiptarë të kryejnë punën e tyre të papenguar, ashtu siç gazetarët serbë shëtisin lirshëm në pjesën jugore të qytetit dhe asnjëherë nuk janë penguar në punën e tyre.
Situata është vlerësuar e qetë, por e brishtë dhe e tensionuar edhe nga përfaqësuesi i policisë së Kosovës, Avni Zahiti, si dhe ata të KFOR-it. Zahiti ka thënë se në lagjet me popullatë të përzier vazhdon të jetë prezent numri i shtuar i policëve, për të ofruar siguri më të madhe për të gjithë.