Suspendohet udhëtimi pa viza për Serbinë e Maqedoninë?

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë ka bërë thirrje të premten për suspendimin e udhëtimit pa viza për serbët dhe maqedonasit në drejtim të BE-së, pas një rritjeje të kërkesave për azil nga banorët e këtyre dy shteteve ballkanike.
Serbët dhe maqedonasit kanë përbërë pothuajse një të tretën e të gjitha aplikimeve për azil politik në Gjermani muajin e kaluar, kanë treguar të dhënat zyrtare, megjithëse të dyja këto ish-republika jugosllave janë kandidate për anëtarësim në BE dhe u kërkohet që të mbështesin vlerat dhe liritë e tyre, shkruan agjencia Reuters.
Emigracioni ilegal dhe azili janë çështje të ndjeshme për politikanët gjermanë, me afrimin e zgjedhjeve federale në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
“Abuzimi në rritje i sistemit të azilit nuk është i pranueshëm… Rrjedhja masive e serbëve dhe maqedonasve duhet të ndalet urgjentisht”, ka thënë ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich, në një deklaratë.
E përditshmja më e shitur “Bild” e ka cituar Friedrichin të ketë thënë se “udhëtimi pa viza nuk duhet të çojë drejt abuzimit të rregullave të azilit. Kjo gjë do të tendosë gatishmërinë e gjermanëve për të ndihmuar ata që janë vërtet në nevojë për ndihmë”.
Numri i aplikuesve serbë për azil në Gjermani është trefishuar në muajin shtator, krahasuar me një muaj përpara, ndërkohë që kërkesat e maqedonasve kanë kërcyer në 70 për qind, kanë treguar shifrat.
Vizitorët nga Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi e fituan të drejtën e udhëtimit pa viza në zonën e udhëtimit të lirë Schengen të BE-së në vitin 2009. Banorët e Bosnjë-Hercegovinës dhe ata të Shqipërisë iu bashkuan zonës në vitin 2010.
Vitin e kaluar BE-ja caktoi rregulla të reja për të lehtësuar kërkesat për viza, për të luftuar drojën e rritjes së papritur të emigrantëve nga Ballkani Perëndimor.
Mirëpo Këshilli i ministrave i bllokut dhe Parlamenti Evropian ende duhet t’i aprovojnë këto rregulla, të cilat parashohin një suspendim të përkohshëm të marrëveshjeve pa viza për shtetet, qytetarët e të cilave cilësohen si abuzivë për sistemin. “Mund të duhen edhe rreth gjashtë muaj të tjerë për të siguruar marrëveshjen përfundimtare”, ka thënë një zyrtar i BE-së në Bruksel, për agjencinë Reuters.
Gjermania pranon rreth 144 000 kërkesa për azil politik çdo vit, shifër kjo dukshëm më e ulët sesa 500 000, sa ishte në vitin 1996. Gjermania ka pranuar një numër të madh refugjatësh të ikur nga konfliktet e viteve ‘90 në territoret e ish-Jugosllavisë.