Publikuar me datën: Mon, Mar 7th, 2011

Sulmet në veri, me elemente të terrorizmit

Prishtinë, 7 mars – Aktet konstante të dhunës në veri të manifestuara me sulme drejtuar kundër jetës së zyrtarëve e qytetarëve dhe shkatërrimit të pronës së tyre përmbajnë në vete një gamë të gjerë veprimesh, ku krahas kriminalitetit nuk përjashtohen as elementet e terrorizmit, kanë vlerësuar njohësit kosovarë të zhvillimeve në fushën e sigurisë dhe të ligjit, shkruan sot “Koha Ditore”. Sipas tyre, shpeshtimi i akteve të dhunës gjatë muajve të fundit me qëllim të ndjelljes së frikës e pasigurisë dhe pengimit të veprimit të institucioneve shtetërore në këtë pjesë zhvillohen në mënyrë të orkestruar nga grupe të organizuara që posedojnë mjete e fonde për
destabilizimin e sigurisë, por edhe për pengimin e autoriteteve shtetërore të Kosovës që ta shtrijnë autoritetin e vet në këtë territor.
“Sulmet e muajve të fundit ligjërisht përmbajnë edhe elemente të terrorizmit, ngase kemi të bëjmë me dhunë ekstreme që ka për qëllim destabilizimin e vendit”, thotë eksperti i sigurisë, Agim Musliu.
Këtë qëndrim ai e mbështet në metodat që janë përdorur nga ekstremistët në veri, duke filluar nga sulmet ndaj veturave civile e zyrtare, kërcënimet, rrëmbimet, shpërthimet e deri tek vrasjet politike.
“Kryesit e këtyre veprave nuk janë gjetur por gjithmonë është aluduar se janë vepër e shërbimeve sekrete serbe, të cilët synojnë që ta mbajnë gjendjen nën tension dhe të pasigurt. Hedhja në ajër, shpërthimet, rrahjet e pjesëtarëve të forcave të sigurisë, vrasjet politike, por edhe vrasjet e civilëve janë veprime që përmbajnë elemente terrorizmi, të dirigjuara mirë nga shteti serb dhe të zbatuara nga institucionet e sigurimit serb, me qëllim që kjo pjesë e Kosovës të paraqitet si jostabile dhe jofunksionale”, ka deklaruar Musliu.
Njohësi i politikave të sigurisë ka shprehur bindjen se veprimet e dhunshme janë intensifikuar gjatë muajve të fundit me qëllim të krijimit të një pozicioni më të favorshëm për Beogradin në prag të fillimit të bisedimeve, pasi që Serbia dëshiron që të imponohet si lojtare kyç për stabilizimin e gjendjes në veri të Kosovës.
Ndërsa juristi Mahmut Halimi ka shpjeguar se Kodi Penal i Kosovës terrorizmin e përkufizon “si kryerje të një ose më shumë veprave penale me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik, të një qeverie ose organizate ndërkombëtare për të kryer ose për të mos kryer çfarëdo vepre apo që seriozisht të destabilizojë ose të shkatërrojë strukturat themelore politike, ekonomike e sociale të Kosovës, të një vendi ose të një organizate ndërkombëtare”, ku përfshihen vrasja, lëndimi trupor, marrja peng, rrëmbimi, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, shkatërrimi, dëmtimi ose heqja e instalimi publik, mbajtja e shitja e armëve, rrezikimi i personave të mbrojtur ndërkombëtarisht, etj., të cilat veprime kryhen nga një grup i strukturuar që posedon fonde e burime financiare. Sipas tij, në ndodhitë e fundit së paku 4 ose 5 lloje të veprave penale përmbajnë përkufizimin e veprimit terrorist.
“Mund të thuhet se ka indicie të veprave terroriste në sulmet e muajve të fundit në veri, edhe pse çështja e terrorizimit është e ndërlikuar dhe këtë kualifikim duhet ta bëjnë organet e hetuesisë në bazë të provave që sigurojnë”, ka thënë Halimi.

MPB: Akte kriminale; Opozita: Terrorizëm e agresion

Mirëpo vlerësimet e njohësve të çështjeve të sigurisë e të atyre juridike nuk përputhen me qëndrimin e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi. Sulmet e fundit në veri të vendit zyrtari i lartë qeveritar i ka cilësuar si akte kriminale që riciklohen kohë pas kohe.
“Terrorizmi është terminologji e gjerë. Por gjithsesi se janë akte kriminale”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka pranuar se ka dyshime të bazuara që strukturat serbe të sigurisë kanë gisht në këto veprime, pasi që Serbia dëshiron që ta minojë shtetësinë e Kosovës në atë pjesë.
“Këto struktura dëshirojnë ta krijojnë një pasqyrë se shteti i Kosovës nuk është i pranishëm në veri. Por Policia e Kosovës, EULEX e KFOR-i janë të vendosur që ta mbajnë praninë në veri dhe të dëshmojnë se pretendimet e tilla janë vetëm iluzione”, është shprehur Rexhepi.
Sipas koncepteve ndërkombëtare, terrorizmi përkufizohet si dhunë sistematike me qëllim të frikësimit e që realizohet për të arritur synime politike, religjioze ose ideologjike.
Deputeti i LDK-së dhe ish-këshilltari i presidentit Fatmir Sejdiu për siguri, Anton Çuni, ka shprehur bindjen se sulmet e muajve të fundit në veri të vendit përmbajnë në vete si elemente të terrorizimit ashtu edhe të krimit të organizuar.
“Këto dy lloje të veprimit në të shumtën e rasteve, por edhe në veriun e Kosovës, bashkëveprojnë, koordinojnë dhe gërshetohen njëra me tjetrën, varësisht nga prioriteti i qëllimeve. Thjesht, këto organizata bashkëjetojnë duke e mbuluar njëra- tjetrën me operacione, burime njerëzore, financiare, etj. Prandaj në veri kemi të bëjmë me organizata  kriminale dhe të terrorizmit, të cilat posedojnë strukturë, teknikë e fonde”, ka thënë Çuni.
Ligjvënësi opozitar ka pohuar se këto grupe të strukturuara janë të mbështetura nga Beogradi, pasi që prapavija e tyre demaskohet gjithnjë në momentet kur në arenën ndërkombëtare trajtohet çështja e Kosovës apo kur institucionet e Kosovës mundohen të funksionalizohen në tërë  territorin e saj.
“Me forma, intensitet dhe dinamika të ndryshme, varësisht nga momentet, këto struktura në mënyrë permanante e rrezikojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës, dhe  po ashtu rrezikojnë institucionet demokratike të Kosovës dhe jetën dhe pasurinë e qytetarëve të saj”, është shprehur Çuni.
Sipas tij, krijimi i situatave ku institucionet e Kosovës nuk janë prezente apo funksionale, hap rrugën për anarki, veprime kriminale e terrorizëm, në të cilin ambient Beogradi para bashkësisë ndërkombëtare e paraqet popullatën serbe si të diskriminuar dhe të viktimizuar.
Ndërkaq deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka qenë i prerë në kualifikimin e sulmeve të muajve të fundit në veri të vendit. Sipas tij, këto akte nuk kanë karakter fetar, por janë të drejtuara kundër shtetit.
“Sulmet e tilla ndaj Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të EULEX-it, pajisjeve, qytetarëve dhe pronës së tyre janë akte të pastra terroriste dhe duhet të trajtohen si të tilla”, ka thënë Ramadani.
Ai i ka bërë thirrje Agjencisë Kosovare të Inteligjencës që sa më parë të shtrijë veprimtarinë në veri të Kosovës, për shkak se rreziku për sulme me pasoja edhe më të mëdha është evident, për shkak të pranisë së
grupeve ekstreme të strukturuara që veprojnë me motive etnike të gërshetuara edhe me krimin e organizuar.
Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje!”, Glauk Konjufca, ka shkuar një hap më tutje duke i cilësuar aktet e dhunës në veri si agresion të Serbisë ndaj Kosovës, që pos minimit të sovranitetit e pavarësisë ka për synim edhe ndarjen e kësaj pjese.
“Serbia edhe nëse nuk arrin ta ndajë veriun, së paku dëshiron që ta
kantonizojë si Bosnjën dhe në këtë mënyrë të ushtrojë kontrollin e saj mbi Kosovën”, ka thënë Konjufca.
Sipas tij, ky agresion ushtrohet në mënyrë të qartë nga strukturat serbe të sigurisë, të cilat kanë dëshmuar praninë gjatë vizitave të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Serbisë në Kosovë, “duke dhënë
shenja të qarta se ekziston një shtet brenda një shteti”.
“Lufta e Serbisë zhvillohet në shumë fusha, ndërkohë që përgjigjet e
Kosovës janë të pakta ose hiç”, ka theksuar Konjufca.

Shkaktari i rrezikut të përgjithshëm

Në anën tjetër, pjesëtarët e organeve të rendit nuk i kanë komentuar qëndrimet e analistëve e të politikanëve në lidhje me incidentet e muajve të fundit në veri.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, ka pohuar se rastet madhore, kryesisht ato të shpërthimeve me lëndë eksploduese, nuk janë ndërlidhur me terrorizëm, porse janë regjistruar si vepra penale të “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”.
“Në shikim të parë, vepra të tilla të rrezikimit të lartë mund të duken se përmbajnë në vete mjaft elemente të veprës penale të terrorizmit, mirëpo deri në këtë fazë të hetimeve policia nuk i ka regjistruar si të tilla. Kjo nuk do të thotë se rastet e tilla nuk mund të rikualifikohen si vepra terroriste, nëse gjatë fazës së mëtejme të hetimeve argumentohet me prova ndaj të dyshuarve”, ka thënë Hoti.
Ai ka sqaruar se PK-ja është e kujdesshme që të komunikojë me gjuhën e fakteve, pasi që ngjarje të ndryshme që prekin sigurinë e qytetarëve janë politizuar dhe paragjykuar në opinion.
Sipas tij, gjatë vitit 2010 në veri të Kosovës janë regjistruar gjithsej 1473 incidente, prej të cilave janë veçuar katër vrasje, 13 raste të shkatërrimeve të instalimeve publike me eksploziv (antenave IPKO dhe VALA) dhe 104 raste të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, derisa janë arrestuar 235 persona për vepra të ndryshme.
Ndërsa zëdhënësi i EULEX-it për veriun, Hanns-Christian Klasing, ka sqaruar se përgjegjëse për sigurimin e rendit është Policia e Kosovës dhe se EULEX-i ushtron vetëm disa fuqi ekzekutive kur bëhet fjalë për luftimin e krimeve serioze dhe të organizuara, në të dyja anët e Ibrit.
“Për shkak të ndjeshmërisë së hetimit të këtyre rasteve EULEX-i nuk mund të komentojë më shumë”, ka thënë Klasing.
Ai nuk ka komentuar as mundësinë e pranisë së strukturave serbe të sigurisë në veri.

Por ka pranuar se gjendja në veri duhet të përmirësohet.
“Sundimi i ligjit në veri të Kosovës duhet të përmirësohet në mënyrë të
dukshme. Prandaj EULEX-i vazhdon që të punojë ngushtë me PK-në dhe KFOR-in në luftimin e krimit të organizuar në të dyja anët e Ibrit”, ka thënë Klasing, duke sqaruar se për këtë arsye është formuar edhe njësia e veçantë “Task Force Mitrovica”.
Analisti për çështje të sigurisë, Agim Musliu, ka theksuar se për kthimin e rendit dhe ligjit në veri aktualisht mungon vendosmëria e vullneti politik, por edhe plani preciz, zbatimi i të cilit do të mundësonte funksionalizimin e jetës institucionale në atë pjesë.
“Tërheqja e policisë së trafikut pak ditë më parë pas protestave të organizuara nga disa punëtorë të sigurimit të shtetit tjetër tregon kapitullimin e shtetit të Kosovës në atë pjesë”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, veriu nuk mund të qëndrojë deri në infinit pa status dhe për këtë shkak institucionet e Kosovës duhet të kthejnë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, duke mundësuar prani të forcave të sigurisë e rendit, kthimin e doganierëve dhe gjyqtarëve, si dhe vënien para drejtësisë të shkelësve të ligjit.
“Duhet më shumë guxim politik… Në këtë pikëpamje vizita e presidentit Pacolli ka qenë inkurajuese, por nuk bën që të ndalemi me kaq…”, ka deklaruar Musliu.

Mihajloviq: Beogradi nuk ndikon në situatën në Kosovë

Pretendimet e kreut të MPB-së dhe të opozitarëve të Kosovës janë hedhur poshtë nga zëdhënësi i Qeverisë së Serbisë, Milivoje Mihajloviq, i cili ka përjashtuar mundësinë që Beogradi të ketë gisht në ngjarjet e fundit në veri.
“Qeveria e Serbisë e vlerëson si të rëndë situatën në tërë krahinën jugore. Kosova dhe Metohia është krahina jugore e Serbisë, e cila është nën protektoratin e OKB-së dhe për gjendjen e sigurisë përgjegjëse janë misionet paqësore të OKB-së apo misionet, të cilat janë të autorizuara nga OKB-ja që të punojnë në territorin e kësaj krahine. Beogradi respekton Rezolutën 1244 të OKB-së dhe nuk ndikon në situatën në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Mihajloviq për “Kohën Ditore”.
Zyrtari serb ka shprehur bindjen se situata në Kosovë mund të normalizohet me fillimin e dialogut mes shqiptarëve e serbëve, me vendosjen e gjyqësorit unik ndërkombëtar, hetimin e krimeve të luftës dhe “largimin e ekstremistëve nga Qeveria e përkohshme në krahinë”, derisa përmirësimi i situatës me kthimin e pronës së uzurpuar, rishikimin e privatizimit të paligjshëm dhe kthimin e serbëve të zhvendosur.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close