Sulmet kibernetike, kërcënim për botën

Sulmet kibernetike dhe spiunazhi kibernetik kanë zëvendësuar terrorizmin si kërcënimi numër një me të cilin përballen Shtetet e Bashkuara. Agjencitë e kundërzbulimit amerikan në vlerësimin e tyre vjetor e cilësojnë spiunazhin kibernetik si “kërcënim për të gjithë botën”.
“Aktorët joshtetërorë janë duke përdorur gjerësisht ekspertizën në internet. Teknikat dhe aftësitë kibernetike për të arritur objektiva strategjike duke mbledhur informacion të ndjeshëm nga njësi të sektorit publik dhe privat, kontrolli dhe rrjedhja e informacionit përceptohet tashmë si sfidë e konkurrencës. Këto aftësi i vënë të gjithë sektorët e vendit tonë në rrezik, nga ato qeveritare te rrjetet e infrastrukturës private”,-deklaroi kreu i Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, i cili shtoi se tashmë Al Qaeda nuk përbën më një kërcënim të madh.
Clapper, duke iu adresuar Komitetit të Inteligjencës në Senat, ka thënë se Al Qaeda, ndonëse e dobësuar, nuk e ka braktisur luftën e saj kundër Shteteve të Bashkuara. Raporti publikohet, ndërsa sa vjen e rritet alarmi në Washington për sulmet në rrjetet kompjuterike të korporatave dhe qeverisë, dhe vështirësisë së dukshme të Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur qytetarët prej tyre. Në më të fundit të sulmeve kibernetike është sulmuar dhe faqja e internetit e zonjës së parë Michelle Obama.