Sparkes: Do ta mbrojmë integritetin e Kosovës së pavarur

Prishtinë, 5 shtator – Ekzistojnë limite të caktuara deri ku mund të bisedohet për kompromisin, sepse qëndrimi ynë i fuqishëm është që Kosova është e pavarur dhe sovrane, ka deklaruar për FoNetin ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Andy Sparkes, i zgjedhur kohë më parë për zëvendësshef të EULEX-it.
Ai njëkohësisht mendon se bisedat teknike Kosovë-Serbi janë “të mundshme” dhe “të dëshirueshme”. Nga Serbia askush nuk po kërkon që tani ta njoh Kosovën, ka theksuar Sparkes, por ka përkujtuar se më shumë se 80 % e vendeve të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ato “qëndrojnë prapa pozicionit se Serbia duhet të ketë ardhmërinë e vet evropiane dhe janë të gatshme ta ndihmojnë në këtë rrugë”, ka shtuar Sparkes, por duhet një kohë e caktuar që Serbia të bëhet anëtare e BE-së.
Sparkes mendon se bisedat teknike Kosovë-Serbi janë të mundshme dhe të dëshirueshme dhe sqaron se “bisedat ndërmjet dy territoreve para se gjithash do të kishin të bënin me bashkëpunimin dhe me marrëdhëniet e mira fqinjësore”.
Sparkes sugjeron se duhet fokusuar në tema të caktuara, “në rend të parë në tregti, sepse këto raporte në këtë çast nuk janë të zgjidhura për shkak të ekzistimit të vulës së UNMIK-ut”.
Këtu do të mund të hynin, sipas fjalëve të tij, edhe çështjet e bashkëpunimit ndërkufitar, të projekteve zhvillimore në të dy anët, të çështjeve për personat e zhdukur si dhe për kthimin e serbëve të zhvendosur në Kosovë.
I pyetur për mundësinë e kompromisit, Sparkes është përgjigjur se “ekzistojnë limite të caktuara deri ku mund të bisedohet për kompromis”.
“Qëndrim i yni i fuqishëm është se Kosova është e pavarur dhe sovrane. Integritetin territorial të Kosovës, në këtë kuptim, do ta mbrojmë”, ka theksuar Sparkes. Sipas fjalëve të tij, “serbët duhet të pranojnë fakte të caktuara, të cilat e kanë sjellë pavarësinë e Kosovës”.
“Nëse Serbia vazhdon të shikojë përpara, dhe jo në të kaluarën, këtë rast gjithsesi mund ta shqyrtojë mundësinë e anëtarësimit në NATO dhe në BE”, theksoi Sparkes.
Ai mendon se bisedimet për çështjen e Kosovës në mbledhjen e AP të OKB-së “fare nuk janë kontradiktore”, sepse kjo Asamble ka kërkuar Mendimin këshillëdhënës nga GJND-ja.
“Ajo që mund të sjellë komplikimin në këtë proces është ekzistimi i Rezolutës nga ana e Serbisë, sepse kjo rezolutë ka sjellë deri te ndarja në Asamblenë e Përgjithshme”, tha Sparkes.
Situata në të cilën ne mendojmë se do të ishte e dëshirueshme, është që tani pas Mendimit të GJND-së, mund të vazhdojnë bisedimet për çështje të caktuara teknike dhe për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë Sparkes.
I pyetur për autonominë e serbëve në veri të Kosovës, Sparkes ka thënë se plani i Ahtisarit, edhe pse qeveria e Serbisë nuk e ka pranuar, “sjellë një lloj autonomie për bashkësinë serbe në Kosovë”.
Kur është fjala për problemet e serbëve të kthyer, si për shembull në Zallq të Istogut, sipas FoNetit, Sparkes ka thënë se “Mbretëria e Bashkuar fuqimisht qëndron prapa pozicionit se Kosova është dhe duhet të jetë multietnike. Të gjithë duhet të kthehen në vendet e tyre, në pronat e tyre dhe të jetojnë pa frikë se identiteti i tyre dhe mënyra e jetesës do të ruhen”, ka sqaruar Sparkes, duke përkujtuar se qeveria në Londër ka harxhuar deri tash mjete të mëdha financiare për programet e kthimit. Ai ka paralajmëruar se Britania e Madhe do të financojë edhe kthimin e serbëve në Prizren, që do të ishte kthimi i parë i tyre në një mjedis urban në Kosovë.