Sot pritet certifikimi i votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës

Tiranë, 15 maj – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të japë sot rezultatin përfundimtar për fituesin e Bashkisë së kryeqytetit pasi KQZ do të rinisë verifikimin e shifrave të procesverbaleve për të 11 minibashkitë në Tiranë.
Mbledhja është caktuar për tu nisur sot në orën 10:00 pas shtyrjes së mbledhjes së djeshme, e cila ishte e parashikuar rreth orës 18:00 dhe pritet të shoqërohet me diskutime të gjata, për të nxjerrë në fund rezultatin për kreun e ri të Bashkisë, nëse ky do të jetë Lulzim Basha apo Edi Rama, raportojnë mediat shqiptare.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, në procesverbale mund të bëhen edhe gabime, prandaj KQZ-ja po i verifikon edhe njëherë. “Në bazë të nenit 123 të Kodit Zgjedhor, KQZ e shpall rezultatin pasi të ketë verifikuar të gjitha të dhënat e tabelave të qendrave të votimit, KZAZ”, – u shpreh dje zedhenesi i KQZ, Lushi, raporton BalkanWeb. “Aktualisht, rezultati paraprak rezulton i pakuptimtë, pasi kandidatët u ndanë me një rezultat fare të ngushtë, flitet për 10 vota plus në favor të Ramës, por është njerëzore që të ketë edhe gabime gjatë hedhjes së rezultatit. KQZ po verifikon edhe njëherë procesverbalet e të gjitha qendrave të votimit në Tiranë”, tha dje zëdhënësi i KQZ-së.
Sipas procesverbaleve të njësisë nr.5, KZAZ 49, e cila vendosi kufirin ndarës mes dy kandidatëve, Edi Rama e ka fituar garën me 10 vota plus, por ky procesverbal ende nuk është certifikuar nga KQZ.
Ndërkohë që PD nxjerr pretendime se janë nxjerrë si të pavlefshme fletë votimi në favor të kandidatit Lulzim Basha, në KZAZ e njësisë 8. Sipas tyre këto fletë janë nxjerrë të pavlefshme vetëm se ishin futur në një kuti tjetër nga ajo për votat për kryetar bashkie.