Sot fillojnë bisedimet e Kosovës dhe Serbisë

Bruksel, 8 mars – Kosova dhe Serbia do t’i nisin sot bisedimet e para që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Sipas paralajmërim ato do të zgjasin dy ditë. Raundi i parë i dialogut do të zhvillohet në dy pjesë, të martën pasdite dhe të mërkurën paradite. Takimet do të mbahen në zyrën e këshilltarit të posaçëm të Shërbimit evropian për veprimtari të jashtme të diplomacisë evropiane, që kryesohet nga Catherin Ashton.
Bisedimet në Bruksel ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe do të fokusohen në çështje të veçanta. Ato, sipas paralajmërimeve jozyrtare, do të përqendrohen në problemet praktike, siç janë kontrolli i kufijve dhe dokumentet personale, ndërkaq çështjet politike do të shmangen. Zyrtarët e BE-së thonë se fillimisht do të bisedohet çështja e lëvizjes së lirë, bashkëpunimi rajonal, lëmi i sundimit të ligjit dhe çështjet tjera praktike.
Delegacionin e Prishtinës do ta kryesojë nënkryetarja e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, kurse atë serb drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Boris Stefanoviq. Ndërsa BE-në do ta përfaqësojë diplomati Rober Cooper, SHBA-të në këto bisedim do t’i përfaqësojë zëvendëssekretari i Shtetit, Thomas Countryman.
Kryesuesja e ekipit negociator të Kosovës shkon në Bruksel me autorizimin e kryeministrit, meqë Kuvendi nuk e diskutoi posaçërisht çështjen e përfaqësuesit të vendit në këto bisedime.
Prishtina shpreson që bisedimet të çojnë Beogradin ta njohë pavarësinë e saj, të cilën Serbia e refuzon fuqimisht, ndërkaq Serbia përmes këtyre bisedimeve synon të rikthejë statusin e para pavarësisë, ose të imponojë ndarjen e një pjese të Kosovës.
Kosova është e njohur nga 75 shtete, përfshirë SHBA-të dhe shumica e vendeve të BE-së.
Kuvendi i Kosovës diskutoi dje për dialogun e pritshëm ndërmjet Beogradit e Prishtinës me tone polemizuese dhe kundërshtuese dhe nuk arriti të miratojë një rezolutë për këto bisedime, duke e shtyrë çështjen për të enjten, pasi ky dokument të harmonizohet nga grupet përkatëse parlamentare.