Shumica e shtetasve të Kosovës nuk jetojnë nga puna e vet

Po të ishte puna burim i vetëm i jetesës, 1 milion 350 mijë kosovarë do të vdisnin urie. Fatmirësisht shumica e prej tyre mbështeten te të tjerët dhe problemin e jetesës e kanë të zgjidhur, shkruan sot “Koha Diitore”. Kështu flasin të dhënat kryesore të dala nga regjistrimi i popullsisë që tregojnë se mbi 922 mijë persona të regjistruar si banorë të Kosovës, burim kryesor të jetës e kanë mbështetjen nga persona të tjerë. Rreth 20 për qind e kosovarëve, apo rreth 92 mijë kosovarë burimin kryesor të të ardhurave familjare e kanë nga dërgesat e bashkatdhetarëve. Rreth 112 mijë persona burim të jetesës e kanë pensionin, ndërsa 84 mijë e 683 jetojnë nga ndihma sociale. Agjencia e Statistikave e Kosovës, ka nxjerrë në pah komunat më punëtore dhe ato më të papunë. Bazuar në raportin e regjistrimit të popullsisë, prej 508.100 banorëve që janë të aftë për punë, 44.9 për qind janë të papunë. Kosova ka 227.646 banorë të papunë, përderisa të punësuar konsiderohen 280.454 persona.
Shumica prej kosovarëve të aftë për punë janë me shkollim “të mesëm të lartë”. Ky grup i të arsimuarve edhe është më i punësuari, apo 146 mijë e 600 të punësuar të tillë. Por po aq gati janë edhe të papunë. Vetëm rreth 20 për qind e të aftëve për punë që kanë të kryer studimet universitare janë të papunë, përderisa vetëm rreth 10 për qind e atyre që kanë të kryer studimet master, janë të regjistruar si të papunë. Në Kosovë janë të regjistruar 1.144 doktorantë të aftë për punë. Vetëm 37 prej tyre janë regjistruar si të papunë, 8 prej tyre janë gra. Vendi i punës më i përhapur në Kosovë është ai i “shërbimeve personale dhe mbrojtës”, apo 38 mijë e 678 vende të tilla pune, që është edhe vendi i punës më i madhi për meshkuj. Pastaj vinë shitëset me rreth 28 mijë vende pune që është vendi i punës më i “pëlqyeri”, i femrave. Pasohet nga vendi i punës si mësimdhënës, me rreth 25 mijë. Gjatë regjistrimit të popullsisë vetëm 552 banorë të aftë për punë janë deklaruar se punojnë në bujqësi si të pakualifikuar, që është edhe kategoria e profesionit me më së paku të punësuar. Vetëm 53 femra janë deklaruar se punojnë në këtë profesion. Në bujqësi si të kualifikuar për këtë profesion thuhet se punojnë rreth 12 mijë kosovarë. Dallim të madh mes femrave dhe meshkujve ka profesioni i shoferit. Nga 13 mijë e 114 të punësuar si shoferë, vetëm 78 prej tyre janë gra.
Në ndërtimtari punojnë rreth 23 mijë e 500 persona të aftë për punë, rreth 30 mijë merren me tregti, rreth 14 mijë në gastronomi, rreth 32 mijë në administratë publike. Nga rreth 280 mijë persona të aftë për punë, rreth 227 mijë prej tyre janë të punësuar, ndërsa të tjerët janë të vetëpunësuar. Gjatë regjistrimit të popullsisë të 25 për qind e të punësuarve janë deklaruar se punojnë më shumë se 40 orë në javë. 5 për qind e të punësuarve kanë deklaruar se punojnë më pak se 20 orë në javë. Të dhënat e ASK-së tregojnë se rreth 40 mijë të punësuar janë të detyruar të udhëtojnë nga komuna e tyre në një komunë tjetër për të shkuar në vendin e tyre të punës. Rreth 10 për qind udhëtojnë nga një vend në vendin tjetër, por në të njëjtën komunë, kurse pjesa tjetër e të punësuarve e kanë punën në vendbanimin e tyre. Në Shqipëri janë deklaruar se punojnë 723 kosovarë të regjistruar në regjistrimin e publikuar javën e kaluar, në Serbi 842, në Mal të Zi 457 në Maqedoni 293 persona. Të dhënat e ASK-së tregojnë se gratë e moshës 25 deri në 29 vjeç janë më të punësuarat në krahasim me moshat e tjera të së njëjtës gjini. Për dallim nga femrat, meshkujt e moshës 30 deri në 34 vjeç. Problem me punësim kanë femrat në moshën 20 deri 24 vjeç. Rreth 70 për qind e grave në këtë moshë janë të papunë. Problem të njëjtë me punësim kanë edhe meshkujt e së njëjtës moshë.