Shumica e policëve serbë të PK-së nuk janë nën kontroll të Policës së Kosovës

Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së në mbledhjen e sotme konstatuan se situata në veri të vendit vazhdon të jetë e rëndë dhe me tendencë të keqësimit të mëtejmë, sidomos në kohën kur pritet të organizohen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Shqyrtimi i Raportit të Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, lidhur me adresimin e rekomandimeve të komisionit për situatën e sigurisë në pjesën veriore të vendit, ishte temë diskutimi e mbledhjes së sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ahmet Isufi.
Me këtë rast Isufi tha se bazuar në këtë raport MPB-ja dhe Policia e Kosovës kanë adresuar rekomandimet e komisionit për ndërmarrjen e masave konkrete, në drejtim të vendosjes së rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit në tri komunat e veriut të vendit
U theksua se duhet të ketë një rritje të gatishmërisë së institucioneve të vendit për tejkalimin e kësaj gjendje. Njësitet speciale operative të rajonit të Mitrovicës janë në gjendje gatishmërie me qëllim të reagimit sipas nevojës, tha Isufi.
Në mbledhje u tha se shumica e pjesëtarëve serbë të PK-së nuk përmbushin obligimet dhe detyrat ligjore dhe nuk janë nën kontroll të plotë të zinxhirit komandues të PK-së, edhe pse ata paguhen nga buxheti i Kosovës.