Çështja e Kosovës futet në rend dite të IOC-it

Çështja e sportistëve kosovarë për pjesëmarrje apo jo në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, do të diskutohet në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON). Kjo çështje është futur si pikë e rendit të ditës për mbledhjen e këtij organizmi, që nis sot e mbaron punimet më 25 maj në Quebec të Kanadasë, kanë raportuar agjencitë e huaja të lajmeve.
Në të vërtetë, mediet raportojnë se KE-ja e IOC-it do të diskutojë për formën se si do të paraqitet xhudistja kosovare në Londër, Majlinda Kelmendi, meqë ajo është e vetmja nga Kosova që ka siguruar normën, por zyrtarë kosovarë presin edhe më shumë, që Kosova të ketë ekipin e saj olimpik të Londër, jo vetëm Majlindën.
Meqë, Komiteti Olimpik i Kosovës nuk është anëtar i IOC-it, Majlindës nuk i lejohet të përfaqësojë Kosovën, por ajo dhe institucionet e Kosovës shpresojnë që të paktën, ajo të lejohet të marrë pjesë si sportiste individuale me flamur të IOC-së.
Kelmendi ka mundësinë të paraqitet edhe si garuese e Shqipërisë, pasi ka edhe pasaportën e këtij vendi dhe llogaritet shpresë olimpike e Shqipërisë. Por, ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Memli Krasniqi, shpreson që ajo dhe Kosova të marrin atë që duan. Ai bashkë me kreun e KOK-ut, Besim Hasani, po qëndrojnë në Quebec, për të ndjekur punimet e IOC-it.
“Së bashku me kryetarin e KOK-ut, z. Hasani, po marrin pjesë në Konventën Vjetore të SportAccordit, ku po mbahet edhe mbledhja e KE të KON-it dhe ku do të bisedohet edhe për sportin e Kosovë. Me të drejtë ne presim lajme të mira edhe në Quebec”, ka thënë Krasniqi. “Kosova po e thyen izolimin në sport. Siç e dini, para ca ditëve ne kemi arritur të kemi edhe federatën e pestë të anëtarësuar ndërkombëtarisht, me të cilën kemi plotësuar kushtin teknik për aplikim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”.
Pranimi i Federatës së Lundrimit në Federatën Ndërkombëtare të Lundrimit ishte njohja e pestë për sportin kosovar, pas Federatës së Shigjetarisë, Xhudos, Peshëngritjes dhe Pingpongut.