Shqiptarët në Maqedoni në protesta kundër kryeministrit Gruevski

Shkup, 23 prill- Protesta është rrugë legjitime dhe formë demokratike për të shprehur pakënaqësinë që shteti është duke bërë ndaj qytetarëve, në mënyrë që t’u bëhet presion atyre për zgjidhjen e çështjeve
që shkojnë në dëm të tyre, vlerësojnë analistët.
“Protestat e paralajmëruara për 10 maj, nga ana e Këshillit të organizatave joqeveritare shqiptare (OJQ) në Maqedoni nuk mund t’i mohojë asnjë subjekt politik. Të njëjtat duhet t’i vetëdijesojnë organet kompetente për zgjidhjen e çështjes shqiptare në vend”, shprehet për “Kohën Ditore” analisti Albert Musliu.
Ai vlerëson se protesta është rrugë legjitime dhe demokratike, që nuk mund të zgjidhë problemet, por mund të ushtrojë presion ndaj kompetentëve.
“Protesta është një formë e presionit demokratik ndaj institucioneve, ndaj subjekteve politike, ndaj atyre që kanë rol në vendimmarrje, te cilët duhet të vetëdijesohen dhe të mobilizohen për zgjidhjen e problemeve”, nënvizon Musliu.
Sipas Musliut, këto protesta i shkojnë në favor edhe partisë më të madhe shqiptare në pushtet, e cila duhet të rivlerësojë pozicionimin e saj përballë kryeministrit Grueski.
“BDI-ja duhet të bëjë rivlerësimin e pozitës së saj në Qeveri. Të insistojë të ndryshojë pozicionin në raport me partnerin e koalicionit dhe të insistojë që pjesa e programit të vet të bëhet pjesë integrale e programit qeveritar. Nëse kjo nuk i shkon për dore, atëherë mendoj se çdo vazhdim i këtij koalicioni shkon në dëm të vetë BDI-së dhe të të gjithë shqiptarëve”, thotë Musliu.
Analisti Ismet Ramadani thotë se protesta është e drejtë e çdo qytetari për arritjen e qëllimit me mjete demokratike.
“Me vetë faktin që i jep përkrahje protestës, BDI-ja fshehurazi dhe me një dozë turpi pranon fajin se nuk është e aftë t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve. BDI-ja ose duhet të luajë rolin e mirëfilltë në Qeveri ose duhet ta braktisë atë, e këto janë çështje në të cilat provokohen shqiptarët dhe u bëhet padrejtësi”, ka thënë Ramadani.
Kryetari i organizatës joqeveritare “Realiteti”, Valon Bela, u bën thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët ndihen të diskriminuar nga politika e Gruevskit, të dalin në protesta dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre.
“Ftesa i bëhet çdo qytetari i cili ndihet i diskriminuar nga kjo politikë. Madje, ftesa u shkon edhe gjithë nëpunësve shtetërorë shqiptarë, të cilët janë të diskriminuar në vendin e tyre të punës. I ftojmë të protestojnë edhe administratorët, të cilët janë viktima të disa politikave të Gruevskit, me ç’rast krahas vendimit të punës që kanë marrë, prapëseprapë qëndrojnë në shtëpi”, ka theksuar Bela.
Të pakënaqur nga shumë projekte diskriminuese që u bëhen shqiptarëve dhe rasteve të montuara gjyqësore si rasti i Brodecit, Hagës dhe Sopotit, kanë detyruar mbi 40 OJQ shqiptare të formojnë Këshill për të protestuar, duke kërkuar zbardhjen e të gjitha këtyre provokimeve ndaj shqiptarëve në Maqedoni.