Shqiptarët e diasporës duan federalizmin e Maqedonisë

New York, 27 shtator Organizata shqiptare ‘Jeta e Re’, me seli në New York ka përgatitur një rezolutë për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Republikë e Maqedonisë.
Për mes kësaj rezolute kërkohet të nënshkruhet një marrëveshje të re me sllavo-maqedonasit për një Maqedoni federative dhe shqiptarët të kenë shtetin e tyre Iliridën, brenda Federatës së Maqedonisë, transmeton INA njoftimin.
“Duke vërejtur që në Maqedoni ka probleme të thella si terrori policor mbi popullsinë shqiptare, bastisje, arrestime pa fakte, nuk zbatohet me korrektësi në bazë të ligjeve kushtetuese përdorimi i gjuhës shqipe, ndalohet përdorimi i flamurit kombëtar, dhënia e shtetësisë për shqiptarët që jetojnë prej më shume se 15 vitesh, mos ndarje në mënyrë të barabartë buxheti shtetëror, mbyllja e paraleleve të shkollave shqipe në Strugë, Ohër, Manastir, miratimet e shumë ligjeve jo Kushtetuese, etj. Kërkojmë federalizmin e Maqedonisë dhe zgjidhjen, njëherë e përgjithmonë të çështjes shqiptare në këtë shtet”, thuhet në rezolutë.
Përmes kësaj rezolute kërkohet bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare, siç theksohet, në një shtet, një komb, një pasaportë dhe një flamur kuq e zi.