Shqipëria do të shpallë një amnisti për 100 vjetorin e pavarësisë

Qeveria shqiptare do të shpallë një amnisti për të burgosurit në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
“Me amnistinë e këtij viti do të lirohen nga dënimi të gjithë personat që i ka mbetur viti i fundit. Pra ata persona që do të kenë 365 ditë dhe më pak do të lirohen. Sigurisht do të përfitojnë dhe të gjithë personat, gratë, të cilat janë mbi 55-vjeç. Pra të gjitha te dënuarat femra që në datën 28 nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 55-vjeç”, deklaroi ministri i drejtësisë, Eduard Halimi në një intervistë për “Vizion Plus”, duke shtuar se kjo amnisti nuk do të jetë e gjerë.
Sipas tij, nuk përfitojnë të gjithë nga aministia sigurisht ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit, të gjithë ata që kanë kryer vrasje, askush që ka kryer krime kundër njerëzimit, askush që ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, askush që ka kryer marrëdhënie seksuale me të mitura, askush që ka kryer vepra penale kundër lirisë së personit, mbajtje peng dhe me radhë, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me prostitucionin, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me trafikun e armëve dhe të drogës, si dhe një sërë të tjerash.
” Jam kujdesur për këtë që të kem dhe një statistikë lidhur me këtë çështje. Numri i personave që përfitojnë do të jetë diku rreth 220-250 persona të cilët do të përfitojnë lirinë në 28 nëntor të vitit 2012″, deklaroi ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.