Shqetësime në Bruksel për krizën në Maqedoni

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur shqetësim mbi krizën qeveritare në Maqedoni dhe tendencat për ashpërsimin e marrëdhënieve ndëretnike.
Një zyrtar i BE-së në Bruksel i tha agjencisë së lajmeve INA se po ndiqet me kujdes dhe nga afër situata e fundit politike në Maqedoni dhe tensionet e hapura midis partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI.
“Ne po ndjekim situatën atje dhe sigurisht se jemi të interesuar për dialog politik, zgjidhjen e problemeve të hapura dhe ndjekjen e rrugës së progresit në planin e përgjithshëm të reformave. Situata e krijuar brenda koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI duhet të qartësohet përmes një dialogu parimor, dhe jo përmes dialogjeve dhe mesazheve përmes mediave, që ndikojnë negativisht mbi qytetarët e këtij vendi”, theksoi për INA, një diplomat i lartë i BE-së në Bruksel.
Lidhur me krizën e fundit në Maqedoni, të hënën në Shkup do të mbërrijë evrokomisioneri për zgjerim, Shtefan Fyle. Agjenda e Fyles ka si prioritet dialogun paraqasës që ka Maqedonia për anëtarësimin e saj në BE, para shpalljes së Raportit të Progresit lidhur me përparimin e Maqedonisë.
Peter Stano, zëdhënësi i evrokomisionerit Fyle ka thënë se detyrat kryesore të Qeverisë së këtij vendi janë forcimi i marrëdhënieve ndëretnike në bazë të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, liria e shprehjes përmes dekriminalizimit të shpifjes dhe revidimi i kornizës ligjore për zgjedhjet.