Shpendi takohet me banorët e “Dardanisë”

Kryetari i zgjedhur i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot qëndroi në lagjen Dardania. Ai vizitoi disa nga lokalet në këtë lagje, duke u takuar me pronarët dhe qytetarët e pranishëm aty, e më pas mbajti tubim me banorët e kësaj lagjeje në shkollën fillore “Dardania”. I pranishëm në këtë tubim ishte edhe kryetari i Bashkësisë së III-të lokale në Dardani.
“Ahmeti para qytetarëve të Dardanisë tha se sot po i fillojmë tubimet nëpër lagje, ende pa e marrë mandatin zyrtarisht, sepse kështu edhe jemi zotuar gjatë fushatës tonë. “Ideja kryesore e këtyre tubimeve është bashkëbisedimi me qytetarë, për t’i dëgjuar hallet dhe problemet e tyre, si dhe për t’i zgjidhur ato bashkërisht. Ne i kemi identifikuar një pjesë të madhe të problemeve, por tani duam të njoftohemi edhe më shumë për organizimin e pjesëve të ndryshme të lagjes Dardania, lagje kjo me numrin më të madh të banorëve në Prishtinë”, tha ndër të tjera Ahmeti, duke shtuar se përveç bashkësisë lokale ekzistuese, bashkërisht do të krijojmë edhe këshillat e banesave”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e VV-së.