Shoqëria civile e do rrëzimin e presidentit dhe qeverisë së Kosovës?

Prishtinë, 13 mars – Është zbuluar në plan i një pjesë të shoqërisë civile dhe disa gazetarëve që kanë qenë në linjën e parë të frontit kohëve të fundit kundër zgjedhjes së Behgjet Pacollit për president dhe Qeverisë së kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi, për të rrëzuar nga pushteti këtë qeveri.
Agjencia e lajmeve Qendra.info ka zbuluar një planë të shoqërisë civile, sipas të cilit do të rrëzohej Qeveria dhe Presidenti. Aty parashihet fushatë, protesta dhe aksione tjera që do të çonin në rrënimin e institucioneve.
Emrat e organizatorëve janë të njohur për redaksinë e qendra.info, por ata kanë vendosur të botojnë vetëm planin e tyre dhe jo emrat e personave.
“Me datë 22 shkurt 2011, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, ka zgjedhur Presidentin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës. Procesi i zgjedhjes së Presidentit është shoqëruar me parregullsi të cilat dëmtojnë integritetin e institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore të Kosovës. Në anën tjetër, përbërja e qeverisë së re, të votuar në të njëjtën seancë, nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve të Kosovës për qeveri me duar të pastra dhe kompetente për të implementuar agjendën e shtet ndërtimit në raport me sfidat që e presin shtetin e ri. Shqetësim tjetër mjaft serioz i këtyre ngjarjeve është edhe ndërhyrja direkt e faktorit ndërkombëtar në përzgjedhjen e bartësve të institucioneve shtetërore, duke e tejkaluar çdo normë të pranueshme diplomatike. Për këtë arsye, organizatat e shoqërisë civile, të tubuara rreth fushatës për integritetin e institucioneve, e kanë vlerësuar si të domosdoshëm shprehjen e organizuar të pakënaqësisë dhe mospajtimit qytetar me zhvillimet e fundit politike, të cilat e shkelin vullnetin qytetar dhe kushtetutën e vendit. Veprimet të cilat do të ndërmerren në kuadër të kësaj fushate synojnë korrigjimin e këtyre parregullsive dhe nuk do të ndalen derisa të sigurohen standardet e nevojshme të respektimit të vullnetit qytetar, ligjshmërisë (kushtetutshmërinë) nëpër institucione dhe funksionimit demokratik të shtetit të Kosovës”, thuhet në planin e veprimit të kësaj fushate të shoqërisë civile për integritetin e institucioneve shtetërore.
Organizatat e shoqërisë civile që do të implementojnë fushatën për institucione demokratike dhe legjitime, fazën e parë të fushatës kanë paraparë ta implementojnë gjatë marsit të këtij viti.
“Në javën e fundit të marsit, organizatat e fushatës, bazuar në (mos)veprimin e institucioneve shtetërore, do të përgatisin fazën e dytë të fushatës, e cila do të fillojë në javën e parë të prillit. Plani i detajuar i aktiviteteve për fazën e parë të fushatës gjendet në fund të dokumentit. Gjatë fushatës, organizatat e involvuara do të ndërmarrin veprimet e mëposhtme, por nuk do të kufizohen vetëm me to – protesta ditore, shkrime në gazeta, deklarata të përbashkëta publike, konferenca për media, dekonstruktim i ngjarjeve, takime mobilizuese me organizata joqeveritar nëpër komuna tjera, takime mobilizuese me sindikatat e punës, takime mobilizuese me studentët, performansa artistike, debate televizive, grupi në Facebook, posterët dhe flajerë, protesta e madhe…”, thuhet në planin e veprimit.
Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi, i pyetur të dielën nga mediet lidhur me këtë informatë, ka thënë se nuk është në dijeni dhe, sipas tij, pretendime të tilla nuk janë demokratike dhe janë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve.