SHBA-ja kundër një mekanizmi të veçantë për hetimin e akuzave të Martyt

Prishtinë, 5 shkurt – Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë fund idesë së propozuar nga presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, që të krijohet një mekanizëm i veçantë për hetimin e akuzave të bëra nga senatori zviceran Dick Marty. Mesazhi amerikan i është përcjellë ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, njëherësh zëvendëskryeministër i Qeverisë serbe. Daçiq ka qëndruar në Washington, ku ka marrë kundërshtimin e administratës amerikane për krijimin e ndonjë mekanizmi të veçantë për hetimet rreth Martyt. Kundërshtimin e ka pranuar Daçiq në komentet që i ka bërë në Washington gjatë një takimi me gazetarët serbë atje. Daçiq ka thënë se qëllimi i Qeverisë së Serbisë nuk është ndonjë mekanizëm i veçantë, por një hetim i pavarur.
Megjithatë, zyrtari i parë amerikan që ka folur kundër kësaj ideje nuk është në Washington, por në Vjenë. Ambasadori i SHBA-së në OSBE, Caroll Fuler, duke folur në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj organizate që po mbahet në Vjenë, ka thënë se nuk ka nevojë për ndonjë mekanizëm të veçantë, përderisa ekziston EULEX-i.
“Ka zëra që vijnë edhe nga Këshilli i Evropës, që kanë bërë thirrje për institucione të reja për këtë hetim. Kjo është e panevojshme dhe vetëm që do të vononte të vërtetën. Ne e përkrahim udhëheqjen e hetimeve nga EULEX-i, në bazë të mandatit që ka. Ne u bëjmë thirrje të gjithë të përfshirëve që të mos e përdorin këtë raport për qëllime politike dhe që të mbështesin EULEX-in” , ka thënë ambasadori amerikan.