Serbia s’heq dorë, harton propozim për KS të OKB-së

New York, 13 maj – Hapi i ardhshëm i diplomacisë serbe lidhur me iniciativën për nisjen e hetimit mbi tregtinë e pretenduar me organe të njerëzve në Kosovë, është puna në hartimin e propozimit konkret, të cilin në rend dite të Këshilit të Sigurimit do ta paraqiste ndonjëra nga anëtaret e këtij organi të Kombeve të Bashkuara, tha për agjencinë Tanjug shefi i misionit të Serbisë pranë OKB-së Fedor Starçeviq.
Sipas tij, iniciativa e Serbisë zyrtarisht as nuk ka qenë në rendin e ditës së mbledhjes të së enjtes të Këshillit të Sigurimit, ndonëse në një mënyrë ishte objekt diskutimi. Ai është shprehur se për iniciativën e Serbisë ndoshta nuk do të vendoset vetëm në një takim, por se gjithsesi është e domosdoshme që së pari cilido anëtar i KS ta paraqesë për miratim propozimin konkret të Serbisë.
“Për tu bërë ai dokument edhe nominalisht objekt i shqyrtimit, duhet të bëhet ndonjë propozim apo propozim-rezolutë, ose kumtesë presidenciale, që do të përfshinte atë që ne kërkojmë, kurse në rend të ditës do ta vendoste ndonjë nga vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, sqaroi Starçeviq.
Pasi sekretari i përgjithshëm i OKB-së të gjithë anëtarëve të KS-së iu ka dorëzuar koncept-letrën e Serbisë si dokument zyrtar të Këshillit të Sigurimit, kjo iniciativë tashti është në duart e secilës anëtare të Këshillit, ka shtuar ai.
“Ky dokument tashti është në tryezë”, ka theksuar ai, duke shtuar se konsultimet në KS nuk mund të bëhen vetëm mbi bazë të kërkesës së një vendi që nuk është anëtare e KS të OKB-së.
Shqyrtimi fillon kur në bazë të kërkesës së Serbisë hartohet një propozim-vendim dhe me propozim të cilësdo anëtare të KS-së futet në rend të ditës së këtij trupi të Kombeve të bashkuara, ka precizuar Starçeviq.