Serbia mund ta mbajë Kosovën vetëm në këngë

Banja Llukë, 24 maj – Serbia dalëngadalë po humb Kosovën dhe prandaj do të duhej të bëhej diçka që ta rimarrë sa nuk është bërë vonë, citon agjencia serbe e lajmeve SRNA ministrin serb të policisë, Ivica Daçiq.
“Nga dita në ditë ndodhemi në pozitë gjithnjë e më të pavolitshme. Po del se Rezoluta 1244 është një mashtrim. Derisa ne respektonim kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare, disa vende të bashkësisë ndërkombëtare pas shpinës së Serbisë njohën pavarësinë e Kosovës”, citon agjencia Daçiqin.
Daçiq, i cili mori pjesë në tryezën e rrumbullakët kushtuar kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE, theksoi se propozimi i tij për kufizim të territorit, në të cilat jetojnë serbët e shqiptarët në Kosovës, ndoshta nuk është më i miri dhe se është i ndërgjegjshëm se kushtetuta aktuale nuk e lejon një zgjidhje të tillë.
Ai ka shtuar se është në interesin e popullit serb e shqiptar që të bëhet ky kufizim i jetës së qetë të njërit pranë tjetrit, porse nuk beson se shqiptarët do ta pranojnë një propozim të tillë.
“Pse do ta pranon, kur mund ta marrin gjithë Kosovën? Por, nga ana tjetër deri kur bashkësia ndërkombëtare do të flasë se ky propozim nuk është i mirë, meqë shqiptarët nuk e pranojnë. Bashkësia ndërkombëtare dëshiron paqe dhe jo fshehjen e gjërave nën rrogoz”, ka shtuar Daçiq.
Ai ka theksuar se nuk mjafton të thuhet “po i përmbahemi kushtetutës”, të mbështetet ndonjë tubim patriotik dhe mbrëmje lahutarësh dhe të bindesh se kështu është zgjidhur çështja e Kosovës, meqë një Kosovë e tillë mund të ruhet “vetëm në këngë”.