Serbët protestuan në veri, 4 të plagosur

Mitrovicë, 2 korrik – Katër persona janë plagosur sot në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, si pasojë e një shpërthimi që ndodhi në mes të rreth njëmijë protestuesve serbë, njofton korrespondenti i Koha.net nga vendi i ngjarjes.
Çdo gjë ka filluar pas alarmit me sirena, një thirrje tashmë e vendosur ndër serbë të pjesës veriore për të protestuar pasivisht. Serbët kishin filluar një protestë sot pas orës nëntë, kundër hapjes së zyrës për regjistrim civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë. Por, derisa po zhvillohej protesta, në mes të pjesëmarrësve, rreth një mijë sish, ndodhi një shpërthim, nga i cili pësuan katër persona, njëri nga të cilët e ka jetën në rrezik. Bëhet fjalë për mjekun Mesut Gjokoviq, për shpëtimin e të cilit po bëjnë përpjekje mjekët e Spitalit në pjesën veriore të qytetit. Supozohet se shpërthimi ka ndodhur në ndonjë pusetë dhe prandaj fuqia shkatërruese e tij ka pasur më pak viktima. Vendi ku ndodhi shpërthimi është afër Shkollës së Mesme Teknike.
Ndërkohë për këto zhvillime ka njoftuar edhe agjencia serbe e lajmeve, B92., e cila po ashtu raporton për protestën dhe shpërthimin e ndodhur. Agjencia thotë se serbët po protestonin kundër qëllimeve të autoriteteve kosovare për të hapur në Lagjen e Boshnjakëve zyrën për dhënien e dokumenteve civile.
Lagjja e Boshnjakëve vazhdon të jetë multietnike në pjesën veriore të Mitrovicës.
Në urën lindore, që ndanë qytetin në dy pjesë, janë të stacionuara forca të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.
Raportohet se aktualisht situata është qetësuar.