Publikuar me datën: Tue, Apr 5th, 2011

Serbët pajisen me dokumenta të Republikës së Kosovës

Mitrovicë, 5 prill – “Te ata flamujt shqiptarë të varur mbi rrugë ktheheni në rrugën në të djathtë dhe pas rreth 50 metrash është Zyra e Regjistrimit Civil”, tregon me dorë një polic i vjetër i  Policisë së Kosovës.
Në atë rrugë një kalimtar rasti, përkatësinë kombëtare të të cilit ishte vështirë ta definoje bazuar në fizionominë e tij, përpiqet të të bindë me të folur në gjuhën serbe se vërtet nuk e dinte ku gjendej ajo zyrë dhe jo që nuk donte të tregonte, shkruan sot “Koha Ditore”. Bashkëbiseduesi i tij, serb vendës, që kishte dalë te rruga duke ndërprerë punët në kopsht, pyetjes në shqip i përgjigjet në serbishte, shkurt se nuk dinte gjë për atë zyrë. Në fakt, në kthesën rreth 20 metra më tutje në ballë të një shtëpie private dykatëshe, skaj rrugës mund të shihje tabelën me stemën dhe mbishkrimin “Republika e Kosovës-Qendra për Shërbime Civile”, e shkruar së pari në gjuhën serbe, pastaj në shqipe dhe në fund në atë angleze. Në disa kënde në shtylla elektrike ose skaj shtëpive përgjatë rrugës shihen flamuj kombëtarë shqiptarë. Dy policë në paradhomë të zyrave për shërbime civile tregojnë se për momentin stafi i të punësuarve gjendej në pauzën e drekës. Një qytetar i moshuar që flet me vështirësi bukur të mëdha që vërehej qartë se i vinin nga mosha e tij, derisa po dilte nga lokalet e zyrës tregon në serbishte se ka ardhur nga një fshat i Mitrovicës që të aplikonte për letërnjoftim të Republikës së Kosovës.
“Kam ardhur me taksi deri këtu, shumë shtrenjtë m’u bë, po më duhet ta ndërroj letërnjoftimin e UNMIK-ut e ta marr këtë të Kosovës, sepse ndryshe s’po më mundësohet ta marr pensionin prej 40 eurosh”, tregon ai arsyen e ardhjes në Qendrën për Shërbime Civile. “Nuk do të kisha dashur të më dalë emri në gazetë”, shprehet ai derisa i duhet të dalë në qytet që të bëjë fotokopje dokumentacionin që i kërkohet për aplikim.
Ai vazhdon tek ecën ngadalë: “Para luftës kam jetuar në qytetin e Mitrovicës, kalonim shumë mirë përpara me shqiptarët, jetonim si vëllezër, por ikën ato kohë, lufta na shkatërroi të dy palëve”.
Derisa zyrtarët e zyrës kthehen nga dreka, numri i frekuentuesve të zyrave nuk është aq i madh. Por për rreth dy orë asnjëri nga aplikuesit nuk fliste gjuhë tjetër pos asaj serbe.

“Nuk më pengon Republika e Kosovës”

Duket se pllakati me mbishkrimin “Republika e Kosovës” është bërë diçka e rëndomtë për serbët. Një serb 36-vjeçar kishte ardhur në zyrë që të aplikonte për letërnjoftimet e 2 prindërve të tij. Ai duhej të plotësonte disa procedura më të komplikuara, pasi prindërit e tij nuk ishin vendës në Mitrovicë. Jetonin në veri vetëm pas luftës. Vetë 36-vjeçari që dëshiron të flasë në kushte anonimiteti tregon se është nga Klina, ndërkohë që pas luftës jeton në Kralevë të Serbisë.
“Ja kanë kallë shtëpinë në Klinë e është detyrue me shkue në Kralevë”, thotë shoqëruesi i tij shqiptar, i cili tërë kohën përpiqet me gjeste të mos e lejojë të flasë për gazetë shokun e tij. “Nuk më pengon asgjë mua mbishkrimi Republika e Kosovës, as në këtë ndërtesë as në letërnjoftim, ja ku kam ardhur këtu me një shqiptar”, thotë 36-vjeçari, derisa shoqëruesi i tij largohet. “Po mendoj që pleqve të mi t’ua nxjerr pensionet prej 40 eurosh, në mënyrë që të kenë pak para afër vetes këtu në veri të Mitrovicës derisa mua më duhet të jetojë në Kralevë”, tregon arsyen e përpjekjeve të tij ky qytetar, duke u ngutur ta zërë shoqëruesin e tij shqiptar që tashmë ishte larguar. Zyrtarët brenda zyrave nuk e kanë të lejuar të japin informata për mediat e interesuara. E tregojnë vendimin me shkrim për ndalesën e komunikimit me mediat që u ka ardhur nga lart, për shkak të ndjeshmërisë së punës së tyre. Njëra nga zyrtaret tregon shkurt se të interesuar për aplikim në dokumente ka nga të gjitha nacionalitetet.
Një zyrtar tjetër, gjithashtu, duke e treguar vendimin për ndalim të komunikimit me mediat tregon shkurt se qytetarë të nacionalitetit serb janë dominues me aplikimet e tyre për aktualitetin.
“Mund të them jozyrtarisht se tani shumë më shumë se të tjerët ka serbë që aplikojnë”, thotë ai.
Merret vesh se qytetarët shqiptarë kanë qenë ata që më herët i kanë kryer obligimet e tyre për t’u pajisur me dokumentacion, ndërkohë që serbët vazhdojnë të ngrenë interesimin e tyre për aplikime. Sipas njoftimeve në ngritjen e interesimit të qytetarëve të nacionalitetit serb ndikon nevoja për realizimin e interesave dhe të drejtave të tyre, siç janë pensionet, e drejta e trashëgimisë, shitblerjet, punësimi, etj. “Mund të garantoj se shërbimet tona ndaj të gjithë qytetarëve janë të njëjta pa e shikuar përkatësinë nacionale të tyre”, thekson zyrtari i Qendrës për Shërbime Civile.
Secili që kalon nga zyrat e kësaj qendre mund të vërejë se patrullimet e Policisë së Kosovës në rrugën ku gjendet ajo janë më të shpeshta sesa në vende të tjera. Megjithatë, policë të rregullt që qëndrojnë në paradhomën e zyrave janë dy, zakonisht të përbërjeve të ndryshme nacionale. Në këto zyra bëhet edhe regjistrimi i automjeteve. Brenda të njëjtit objekt punojnë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Ministrisë së Pushtetit Lokal, të ofiqarisë dhe të Qendrës Komunale të Regjistrimit Civil. Një qytetar  serb, i moshës 73-vjeçare, që në Qendrën për Shërbime Civile aplikoi për letërnjoftim të Republikës së Kosovës, tregon se ai i duhet që të realizojë të drejtën e pensionit. I shoqëruar nga vajza e tij, ai nuk heziton të prezantohet me emër e mbiemër, por pas sugjerimeve që merr nga e bija e tërheq prezantimin. Ata janë banorë të Kodrës së Minatorëve, të veriut të Mitrovicës.
“Dua ta realizoj të drejtën e pensionit, por bashkëkombësit tanë nuk po i duan këto dokumente, prandaj më mirë të mos më dal emri im në gazetë dhe ta dinë se kam ardhur këtu”, thotë plaku që mbahet për krahu nga e bija e tij.
“Hajde ecim më shpejt që të mos na shohë dikush këtu”, i sugjeron vajza, dhe duke kërkuar falje largohen në drejtim të veriut problematik. Mehmet Neziri, 68-vjeçar, banor fqinj me Qendrën për Shërbime Civile, thotë se zyra është ndeshur me probleme të aspektit të sigurisë në fillim, ndërkohë që më vonë jo.
“Shumë me vend kanë punuar që e patën hapur këtë zyrë, unë shoh që këtu vijnë për dokumente qytetarë të të gjitha nacionaliteteve, dokumentet janë nevojë dhe nuk po pyet kush të kujt janë, por i marrin dhe shkojnë”, thotë ai. “Unë bisedoj shpesh me ata që vijnë për dokumente, kur s’kam çka bëj dal rri këtu dhe njerëzit tregojnë se pa dokumente të vendit ku jetojnë nuk bën, nuk mund ta mbajnë ose ta fitojnë as edhe një vend pune, sidomos disa që aplikojnë për punë në institucionet tona apo ndërkombëtare”, thekson Neziri.
Ai thotë se edhe fqinjët e tij serbë e kanë parë se zyra shërben edhe për nevojat e tyre. Ky qytetar ankohet për mosinteresim të shtetit të Kosovës për përmirësimin e kushteve të jetës të banorëve në Lagjen e Boshnjakëve.
“Send s’është kush kah këqyr për neve e këndej na thonë rrini këtu, edhe ne mund t’i shesim trojet me çmime të majme, por s’po duam”, thotë Neziri duke bërë me dije se tash e 56 vjet jeton në këtë lagje pa e lëshuar asnjëherë. “Po i ndihmojnë më shumë ata që janë në pozitë shumë më të mirë se ne, ndërsa neve na kanë harruar, 44 vjet stazh pune i kam e i marr 80 euro”, shprehet ai.
Përkundër asaj se stafi i të punësuarve nuk përballet me probleme sigurie, Neziri vlerëson se shteti nuk i ka ndërmarrë masat e duhura për sigurimin e nëpunësve shtetërorë.
“Këta ishalla i ruan Zoti se një herë mundet me gufue tamli këtu, pasi tamli ende është kah vlon…”, shprehet ai në mënyrë figurative.
Njëri nga policët vlerëson se ata policë që punojnë në vende të tilla të ndjeshme duhet të paguhen ekstra për rrezikshmëri në punë. Ibrahim Ramoqi, koordinator i Qendrës Komunale për Regjistrim Civil në Mitrovicë, ndërkaq vlerëson të mos ketë ndonjë indikacion për probleme në pikëpamje sigurie stafi i të punësuarve në Qendrën për Shërbime Civile në Lagjen e Boshnjakëve.
“Prej ditës së parë kur është organizuar dhe mbajtur një protestë e komunitetit serb, asnjë ekses më nuk kemi pasur në atë qendër”, nënvizon Ramoqi.
Merret vesh se edhe në QKRC-në në jug të Mitrovicës numër i konsiderueshëm serbësh aplikojnë për dokumentacion të Republikës së Kosovës.

Gjatë 3 muajve prijnë bindshëm pjesëtarët e komunitetit serb

Lumnije Demi, drejtoreshë e Zyrës për Informim e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, duke prezantuar të dhënat tabelore konfirmon se në muajin shkurt shërbimet që ofron Qendra për Shërbime Civile që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve në veriun e Mitrovicës më së shumti i kanë shfrytëzuar pjesëtarët e komunitetit serb. Ajo bën me dije se qendra ofron shërbimet e lëshimit të dokumenteve civile(certifikata të ndryshme), letërnjoftime, pasaporta dhe regjistrim të automjeteve. Nga tabela shihet se shërbimet e qendrës në 3 muajt e fundit më së shumti i kanë shfrytëzuar pjesëtarët e komunitetit serb. Në dhjetor të vitit të kaluar shërbimet e qendrës i kanë shfrytëzuar 66 serbë, 48 shqiptarë dhe 27 të tjerë. Në janar të këtij viti ndërkaq këto shërbime i kanë shfrytëzuar 48 qytetarë serbë, 30 shqiptarë dhe 28 të tjerë, ndërkohë që në shkurt këto shërbime i kanë shfrytëzuar 156 qytetarë serbë, 45 shqiptarë, 30 të tjerë. Nga tabela shihet se komuniteti shqiptar i ka shfrytëzuar me të madhe shërbimet në dy muajt e parë të punës së qendrës; në korrik dhe në gusht, ndërkaq komuniteti serb vazhdimisht ka shënuar ngritje interesimi në shfrytëzimin e shërbimeve. Në muajin e parë të punës, në korrik të vitit të kaluar shërbimet e qendrës i kanë shfrytëzuar vetëm
27 pjesëtarë të komunitetit serb, ndërkaq në muajin e fundit për të cilin ka të dhëna MAPL, në muajin shkurt ato shërbime i kanë shfrytëzuar 156 qytetarë serbë. Ministri i MAPL-së, Slobodan Petroviq, gjatë muajit të kaluar e ka vizituar Qendrën për Shërbime Civile në Lagjen e Boshnjakëve, ku ka shprehur mbështetjen e tij për punën e qendrës dhe për integrimin e pjesës veriore të vendit.
“Jam ndarë me përshtypje të mira, çdo gjë ishte ok”, thotë ministri Petroviq.
Ai thekson se MAPL-ja ka në plan të hapë edhe zyra të tjera të ngjashme në funksion të integrimit të veriut.
“Kemi plane për hapje të zyrave të tjera, kemi strategji, çdo gjë do të rregullohet”, thotë  ai përmes telefonit.
Qendra për Shërbime Civile në Lagjen e Boshnjakëve është hapur në fillim të korrikut të vitit të kaluar. Hapja është shoqëruar me një protestë të dhunshme të qindra serbëve të veriut ku ka pasur shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri. Është raportuar për një të vrarë dhe disa të plagosur. Sipas informacioneve të ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, shpërthimi nuk kishte ndodhur afër zyrës që e ka hapur Qeveria, por nga pakujdesia që kanë pasur të plagosurit derisa po bartnin municion. Një numër serbësh ishin nisur ta digjnin pllakatin me mbishkrimin Republika e Kosovës. Kreu i strukturave paralele të veriut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, kishte deklaruar për mediet atë kohë se “populli është mbledhur, sepse është kundër marrëveshjes që është arritur pa i pyetur serbët lokalë dhe Beogradin zyrtar që të hapen zyrat”. Ndërkohë, në një komunikatë të lëshuar nga MAPL-ja pas kësaj ngjarjeje thuhej se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komunën e Mitrovicës, Qendra për Shërbime Civile në Lagjen e Boshnjakëve ishte hapur në kuadër të obligimeve të institucioneve të Kosovës dhe parimit të reformës së pushtetit lokal për të ofruar pushtetin sa më afër qytetarit. Qendra për Shërbime Civile udhëhiqet nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe zyrtarë të Komunës së  Mitrovicës. Sipas kumtesës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që e hapi këtë zyrë, ai është parë si hapi i parë praktik i Qeverisë së Kosovës në integrimin e asaj pjese të vendit.

Rexhepi: Qendra për Shërbime Civile, rrëfim suksesi në integrimin e veriut

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, vlerëson se puna e Qendrës për Shërbime Civile në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës paraqet një rrëfim suksesi në ofrimin e shërbimeve tek qytetarët dhe në integrimin e veriut me pjesën tjetër të vendit. I pyetur nëse me një vendosmëri më të madhe pushteti kosovar do të mund të ndërmerrte edhe hapa të tjerë të ngjashëm praktikë në integrimin e veriut problematik, Rexhepi ka thënë se bartësve të institucioneve kosovare nuk u kanë munguar vullneti dhe vendosmëria në këtë aspekt. “Ne kemi pasur dhe kemi një vullnet dhe vendosmëri të tillë, por ka qenë faktori ndërkombëtar i cili me kalkulimet e tij të tepërta politike na ka dalë në rrugë, ka qenë e vështirë t’i bindnim ata në këtë aspekt”, është shprehur Rexhepi. Ministri i Brendshëm pohon se stafi i Qendrës për Shërbime Civile ka siguri në punën e vet. “Për kushte të punës nuk mund të themi se janë aq të mira, pasi punohet në një objekt privat, por siguri ka, kjo dëshmohet me atë se prej ditës së parë kur ka pasur një protestë më vonë asnjë problem nuk ka pasur”, thekson ai.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close