Serbët në veri të ndarë rreth procesit të regjistrimit

Prishtinë, 16 mars – Serbët në veri vazhdojnë të mbesin të ndarë edhe rreth procesit të regjistrimit të popullsisë, që do të realizohet në muajin prill, pohon RTK-ja.
Kjo me gjithë faktin se institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare po bëjnë përpjekje për të dhënë garanci se procesi do të jetë vetëm për nevoja statistikore e kurrsesi politike.
Serbët e veriut janë në pritje të sinjaleve nga Beogradi nëse duhet të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë që fillon me 1 prill. Një pjesë e tyre duket tashmë të jenë të gatshëm për t’u regjistruar në Kosovë. Ndërkaq, pjesa tjetër thonë se do të regjistrohen në procesin e regjistrimit të popullsisë që gjithashtu do të organizohet në tetor në Serbi, pavarësisht se kjo nuk do të vlej për Kosovën.
Neda Stojanoviq nga pjesa veriore e Kosovës thotë se nuk do të marr pjesë në regjistrim të popullsisë në Kosovë, por ndryshe mendon banori Dragan Mitroviq. Ai planifikon t’i përgjigjet pozitivisht procesit të regjistrimit të popullsisë, pavarësisht thirrjeve për bojkot të një pjese të liderëve serbë në Kosovë dhe Serbi. “Që duhet të dihet numri i popullsisë ajo duhet të dihet, por tash krejt varet se pse nevojitet ai regjistrim. Sa më përket mua personalisht unë do të marr pjesë sepse unë këtu jetoj, nuk kam shtet tjetër”, thotë ai.
Rifat Blaku kryetar i Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë ka thënë se ky projekt regjistrimi është bërë sipas standardeve që aplikon bashkësia ndërkombëtare.
Andy Mcguffie, zëdhënës i ICO-së thotë se regjistrimi i popullsisë është shumë i dobishëm për të gjitha palët dhe nuk duhet t’i jepen kahje politike.“Gjëja e parë që duhet kuptuar është rëndësia e regjistrimit. Shumë provizione të shërbimeve publike janë të lidhura me sigurimin e statistikave të sakta demografike. Kjo mund të përfshijë përcaktimin dhe ndarjen e granateve komunale nga buxheti, pjesëmarrjen në shërbimet publike, gjykata, policinë e Kosovës, potencialisht në ndikimin e formimit të komunave të reja dhe natyrisht në planifikimin e sistemit edukativ, atij social dhe shëndetësor. Prandaj ne shpresojmë që të gjithë në Kosovë e kuptojnë se sa i rëndësishëm është një proces i mirë i regjistrimit sepse ndihmon autoritet për të përmbushur detyrat e tyre”, ka thënë Mcguffie
Regjistrimi i serbëve nëpër enklave e sidomos në veri të Kosovës pritet t’i lihet agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Mbikëqyrje të Projekteve (UNOPS). Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë që do realizohet në prill të këtij viti, bëhet 32 vjet pas regjistrimit të fundit i bërë në ish Jugosllavi.