Sejdiu: Askush nuk mund ta kapërcejë ligjin

Prishtinë, 9 maj – Ndryshe nga kryeministri dhe kryeparlamentari, të cilët publikisht janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e bastisjes së Ministrisë së Transportit nga EULEX-i, presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, është përcaktuar të abstenojë nga gjykimet që lidhen me këtë rast. Në deklarimin e parë në mediet vendëse rreth rastit Limaj ai ka thënë se u takon institucioneve që merren me hetime që punën e tyre ta mbështesin në mandatin që kanë. I pari i shtetit nuk ka pranuar që të lëshohet në vlerësime nëse aksionet e EULEX-it kanë qenë “spektakle mediale”, apo kanë qenë vërtet të karakterit profesional, shkruan sot gazeta Koha Ditore.
Veç kësaj, ai nuk ka dashur të paragjykonte asnjë lloj fajësie, as për intervenuesit e as për të atakuarit. “Asnjëherë nuk dua të paragjykoj fajësi apo pafajësi të askujt. Është çështje e institucioneve që të merren me hulumtimet normale, me provat dhe me krejt atë që mund të pretendohet, por gjithmonë të mbështetur në ligjin”, ka thënë presidenti Sejdiu. Ai ka rikujtuar se në Kosovë pushtetet janë të ndara dhe se nuk është e drejtë që ato të interferojnë në punën e njëra-tjetrës.
Për të me rendësi është që në Kosovë të bëhet e qartë nga të gjithë se askush nuk është mbi ligjin. “Askush nuk mund ta kapërcejë ligjin dhe të jetë mbi ligjin në kuptimin edhe të procedurave, por edhe të abuzimit të ligjit”, ka shtuar presidenti Sejdiu.
Pavarësisht nga aksionet e EULEX-it, në njërën anë, dhe deklarimeve “të nxehta” të dy liderëve të tjerë, në anën tjetër, presidenti Sejdiu ka shfaqur bindjen se mes institucioneve vendëse dhe mekanizmave ndërkombëtarë nuk do të këtë prishje të marrëdhënieve.
“Është interesi i të gjithëve që t’i kryejmë detyrat që i kemi para vetes. Them gjithmonë se është në interes të përbashkët, dhe s’mendoj që asnjë prej bartësve të institucioneve mendon ndryshe, që të kemi raporte të mira me bashkësinë ndërkombëtare, e cila ka investuar dhe do të investojë në Kosovë, për ta zhvilluar Kosovën”, ka theksuar presidenti Sejdiu.
Jo kaq të përmbajtur në deklarimet rreth rastit Limaj janë treguar kryeministri, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Kreu i ekzekutivit gjatë paraqitjes së tij të parë publike pas intervenimit të EULEX-it në objektet qeveritare ia ka rikujtuar shefit të ICO-së, Piter Feith, se ai nuk është autoriteti kryesor që vendos se kush mund të mbetet e kush mund të ikë nga Qeveria.
“Të jeni të bindur se nuk do të ndikohem bash nga askush – nëse pyetni ju, as nga z. Pieter Feith”, ka thënë kryeministri Thaçi. Ai e ka pranuar haptas se është i pakënaqur me mënyrën se si është kryer bastisja brenda institucioneve qeveritare nga EULEX-i. “Dërgimi i mesazhit të një sjelljeje të tillë (të EULEXI-it v.j.) ka qenë një mesazh sikur institucionet e Republikës së Kosovës janë në armiqësi me ato ndërkombëtare që nuk është e vërtetë”, ka theksuar Thaçi.
Edhe për kryetarin e Kuvendit sjelljet e EULEX-it nuk kanë qenë të pëlqyeshme.
“Ne mendojmë që organet e hetuesisë qoftë të Republikës së Kosovës, qoftë të EULEX-it, kanë mundur ta ushtronin detyrën e vet në mënyrë shumë më civilizuese dhe nuk ka pasur nevojë të kryhet ashtu siç është kryer”, ka deklaruar kryeparlamentari Krasniqi.
Deri te ky përfundim ai ka ardhur duke u mbështetur në deklarimet e ministrit Limaj, të bëra ditën e bastisjeve të EULEX-it. Si njëri ashtu edhe tjetri kanë pohuar se EULEX-i nuk u ka ofruar fakte për ndonjë keqpërdorim të mundshëm në MTPT.
Dy ditë më herët ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të EULEX-it, Johannes van Vreeswijk, ka pranuar se është zemëruar nga komentet e kryeministrit Hashim Thaçi dhe të zyrtarëve të tjerë kosovarë për hetimet e EULEX-it. Në një intervistë për “Kohën Ditore” ai ka garantuar zyrtarët dhe qytetarët kosovarë se EULEX-i ka fakte për këtë rast dhe se po heton edhe në gjashtë raste të tjera të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve në Kosovë që kanë qenë ose janë të lidhur me krimin e organizuar “që të fillojnë të djersiten”. Sipas tij, kryeministri dhe çdo ministër duhet të ndihen rehat, sepse EULEX-i nuk do t`u përzihet në punët e zyrave të tyre, nëse nuk ka diçka të jashtëligjshme. “Por, kur ka shkelje të ligjit mos të mendojnë se ne do të trokasim në dyer dhe t`i pyesim se a bën të hetojmë”, ka thënë Van Vreeswijk. Ai ka garantuar zyrtarët dhe qytetarët kosovarë se EULEX-i ka fakte për këtë rast dhe se po heton edhe në gjashtë raste të tjera të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Sipas tij, kryeministri dhe çdo ministër duhet të ndihen rehat, sepse EULEX-i nuk do t`u përzihet në punët e zyrave të tyre, nëse nuk ka diçka të jashtëligjshme.
“Koha Ditore” ka mësuar nga burimet e veta se zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës kanë fshehur prova materiale në ditën e bastisjes së kësaj ministrie nga hetues të EULEX-it, pohojnë burime të gazetës.
Hetimet thuajse njëvjeçare dhe bastisja e realizuar të enjten e kaluar në MTPT dhe në pronat e ministrit Limaj e të zyrtarit tjetër Nexhat Krasniqi kanë treguar se janë gjetur prova të mjaftueshme për të dëshmuar keqpërdorimin e 80 milionë eurove, ndërkaq ka edhe dyshime të tjera për të cilat hetimet po vazhdojnë.
Bastisjet e EULEX-it në Ministrinë e Transportit dhe në pronat e ministrit Fatmir Limaj janë bërë javën e kaluar. Në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga ky mision është njoftuar se bastisjet janë bërë nën dyshimin e keqpërdorimit të disa tenderëve të rrugës të shpallur në vitin 2007 dhe 2009.