Publikuar me datën: Thu, Feb 24th, 2011

Sa kushtuan votat, z. Thaçi?

Na mbajtën tri orë në ankth. A po votohej një kryetar që shumica shqiptare në opozitë refuzoi bile ta votonte? A po hiqte ky dorë nga posti në shenjë burrnie dhe në interesin e Kosovës? Apo nuk po e votonin dhe Kosova po hynte në zgjedhje parlamentare të parakohshme, sepse deputetëve të partisë fituese me pakicë, përkohësisht u ishte zgjuar ndërgjegjja. Në fund pauzuan, u shitën dhe u blenë, u votua kryetari dhe u formua qeveria e shantazheve.

Pas dy rundesh votimi doli se kishte goxha deputetë që po i tregonin Behgjet Pacollit se nuk ishte kandidat i dëshiruar dhe se mbase duhej të tërhiqej vullnetarisht, pa i rrezikuar zgjedhjet e jashtëzakonshme. Dhe kur e përjetoi knockdownin e dytë, i doli në ndihmë më i interesuari që ky të zgjidhej kryetar – ai që në fakt e bëri kryetar për shkak se vetë deshi të bëhej kryeministër. Në mënyrën tashmë të dëshmuar arrogante, u çua në këmbë pa i dhënë kush leje dhe i urdhëroi kryeparlamentarit t’i akordonte 5 minuta pauzë. Për ta zbutur punën, u çua zëvendësi i këtij, që në emër të grupit parlamentar ta kërkonte pauzën prej pesë minutash. Që dolën të ishin të furraxhisë… ashtu siç ka mundur të pritej nga ata që janë mësuar të japin afate që nuk i përmbushin.

Burri i vetëm në sallë doli të jetë kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Baca Kupë iu tha kolegëve të partisë së tij se po e shkelnin rregulloren dhe se pauzat në këtë çast ishin antikushtetuese dhe me tendencë të qartë… dhe… se dihej se si do të përfundonte e gjitha. Gjë të cilën edhe e vërtetoi kur përfundoi votimi, kur e dha komentin e dëshpëruar: “…pauza ishte e suksesshme”. Po, zoti Krasniqi, pauza ishte e suksesshme dhe e bëri punën e vetë, por e bënë edhe ato zgjedhje absolutisht të kontestueshme dhe të vjedhura që prodhuan këtë trup, të cilin në fund e përbëjnë njerëzit që janë në gjendje ta ndërrojnë e përshtatin qëndrimin e tyre thjesht për shkak se nuk kanë as ego e as kaçik,… sepse nuk kanë as ndërgjegje, as kurriz bash për shkak se i kanë mandatet të pamerituara.

Pas 45 minutash konsultimi me kush e di kë dhe kush e di në cilën kthinë të Kuvendit (rrodhi informata se në ndërtesën e Kuvendit erdhi kryetari i Skenderajt, me gjasë në përkrahje të Thaçit), së pari u kthyen 65 deputetë, e më pas u “infiltruan” edhe dy të tjerë – kështu u bënë 62 “vota për”, me të cilat u zgjodh kryetari i Kosovës, për të cilin, qysh tash, mund të thuhet një send i sigurt: ka telashe të madhe, se nuk di të flasë as shqip si duhet.

Pacolli e realizoi ëndrrën e vet dhe e luajti lojën mençur deri në fund. E kushtëzoi Thaçin se nuk do të lejonte që së pari të votohej Qeveria e që më pas të votohej ai. Nuk i luajti asnjë muskul as pas të gjitha fjalëve të rënda që ia thanë të gjithë deputetët e grupeve parlamentare që nuk donin ta votonin. Nuk u shqetësua as kur e pa që pas të dytës herë gjërat nuk po ecnin si duhej, sepse e kishte xhokerin e vet të quajtur Hashim. E Hashimi e luajti pokerin më të rrezikshëm, vuri bast të madh që t’i blinte numrat që i nevojiteshin. Pa pyetur për pasojat dhe pa u lodhur fort se çfarë problemesh do të shkaktohen në të ardhmen.

Sa kushtuan ato katër vota që e ndërruan balancën në favor të Pacollit, z. Thaçi? Sa do t’i kushtojnë këto Kosovës? Edhe ndonjë post ministror apo zëvendësministror? Apo ndonjë premtim tjetër që nuk e bëni publik? A bash u desh, hala pa ia nisur punës, të tregoni se nuk i jepni pesë pare për respektimin e rregullave dhe të ligjit, sepse qysh ditën e parë e shkelët Rregulloren e punës së Kuvendit e me gjasë edhe Kushtetutën, kur e imponuat “pushimin e bukëpjekësit”. Qeverisje me duar të pastra nënkupton edhe respektimin e rregullave dhe të institucioneve. Me sjelljen tuaj dje dëshmuat sërish se kjo do të jetë vetëm një moto për foto – për t’i qitë popullit hala hi në sy.

Nuk ju kishte hije që pas betimit të thoshit se “sot fitoi demokracia, rendi demokratik dhe transparenca”, sepse në fakt asnjëra nga to nuk fituan. Përkundrazi, humbën, edhe humbën rrastë. Zgjedhja e institucioneve nuk “është vullneti i qytetarëve të Kosovës”, e as nuk ishte “vullneti i të zgjedhurve të institucioneve të Kosovës”, siç thoni ju, sepse në rastin e parë tashmë jemi lodhur duke e përsëritur se na e keni nëpërkëmbur votën duke na e vjedhur, kurse dje u pa se ia dolët që dikujt t’ia blini votën sërish – ia ndërruat vullnetin deputetëve që çuan kokë dy herë, sa për të treguar disa gramë trimëri, e t’jua kundërshtojnë synimin e zgjedhjes së një njeriu, i cili, për shembull, për mik e ka diktatorin libian. Diktatorin që për ta ruajtur pushtetin, i ka nisur aeroplanët ushtarakë kundër popullatës civile. I cili për ta mbajtur pushtetin, është i gatshëm t’ia nisë luftës civile, pa marrë parasysh çmimin. Nuk është me rëndësi sa njerëz vriten. Mendoj me vete, shyqyr që nuk kemi aviacion ushtarak, se edhe atë do ta kishit aktivizuar dje z. Thaçi, veç për t’u bërë sërish kryeministër. Kaq për demokraci.

Prej dje Kosova u bë me kryetar të ri, kontrovers ende pa u ulur në kolltukun e kryetarit dhe një Qeveri që u ndërtua si rezultat i tregtisë me vota dhe që do të mund të shndërrohet në një qeveri të ndërtuar mbi shantazhin. Mbase nuk do të kalojë shumë kohë që Thaçi të zbulojë se veprimi i djeshëm do t’i kthehet bumerang dhe se qeveria do të mund t’i bjerë sa herë që nuk do t’i plotësohet dëshira e ndonjërit nga partnerët e koalicionit. E që fitimtar do të jetë Pacolli, i cili tashmë e ka siguruar mandatin pesëvjeçar, e i cili do të duhej të bënte shkelje drastike të Kushtetutës që të shkarkohej… ani që ka arritur t’i mbledhë vetëm 30 mijë vota. Shumë lirë jeni shitur, z. Thaçi kurse shumë shtrenjtë i keni blerë votat që ju deshën… sepse postet dhe ministritë e reja që i shpikët do të duhet t’i paguani me ato para të buxhetit që nuk i keni e për të cilin vazhdoni të mblidhni haraç nga bizneset.

Por, me veprimin tuaj e keni bërë edhe një gjë – e kjo do të na kushtojë të gjithëve. Ka kohë nuk keni dalë jashtë shtetit, ka kohë që nuk ka ardhur kush t’ju vizitojë… Do të vijnë për t’ju treguar se duhet t’ia nisni bisedimeve me Serbinë, e që t’ia lehtësoni asaj hyrjen në BE përderisa Kosova nuk do të fitojë asgjë. Do të kalojë kohë para se të ndodhë që t’ju vizitojnë për kurtuazi dhe miqësi. E dini pse? Se imazhit tuaj të keq në botë tash ia keni shtuar edhe imazhin e keq të njeriut që ambicia juaj e bëri kryetar të Kosovës. E ku mbesin qytetarët e Kosovës që pësojnë për shkak të papërgjegjësisë suaj? Kjo ka pak rëndësi për ju.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close