S’ka dhe nuk mund të ketë premtime për data për vizat, thonë Lunacek dhe Pack

Bruksel, 7 dhjetor – Në konferencën e sotme për shtyp, në Bruksel, gazetarë të huaj pyeten eurodeputetet Ulrike Lunacek dhe Doris Pack, që janë mbështetëse të fuqishme të liberalizimit të vizave edhe për Kosovën, se a janë reale premtimet që në fushatë ka dhënë kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, se për 15 muaj Kosova do të përfshihet në liberalizimin e vizave.
„Unë mund të përsëris atë që kam thënë në Kosovë javën e shkuar. Jam e befasuar me deklarata të tilla. Nuk ka pasur kurrfarë datash nga askush në BE. Ne nuk po japim data madje as për Kroacinë e cila po i përmbyllë negociatat e anëtarësimit. Nuk e di se kush është ai i cili ka mundur t’i premtojë Thaçit. Sa më përket mua, unë dua që vizat për kosovarët të hiqen që sot. Por datë nuk ka dhe këto janë thjeshtë premtime në fushatë zgjedhore dhe asgjë më tepër“, ka thënë Lunacek. Njësoj është përgjigjur edhe Doris Pack.
„Është rrugë e gjatë deri tek heqja e vizave., Duhet të përmbushen kriteret nga udhërrëfyesi e ne as që kemi edhe udhërrëfyes për Kosovën. Duhet të dihet se për këtë në fund nuk vendosim as ne, por ministrat e brendshëm të vendeve anëtare. E edhe zgjedhjet për këtë janë një lloj testi. Nuk ka e as që mund të ketë premtime për data nga ana e BE-së“, tha Doris Pack.
Edhe një herë këto dy deputete kanë premtuar partitë politike në Kosovë që, sado që mund të duket e kuptueshme për një fushatë zgjedhore, të mos japin premtime joreale me qëllim të manipulimeve me qytetarët.
„Partitë politike që kanë qenë në pushtet, por edhe të tjerat, nëse duan mbështetje nga BE-ja dhe besimin e qytetarëve, duhet ta dinë se ne nuk do të tolerojmë mashtrime dhe ndikime jolegale ndaj votuesve. Shpresojmë se qytetarët nuk do të lejojnë që të manipulohen“ ka thënë Lunacek.