Rritja e pagave godet të papunët dhe të punësuarit privat

Prishtinë, 30 janar – Paralajmërimet e Qeverisë për ngritjen e pagave për sektorin publik dhe lëvizjet në tregjet ndërkombëtare kanë shkaktuar ngritjen e çmimeve të artikujve elementarë në Kosovë.
Ekspertët theksojnë se ngritja e çmimit të bukës, naftës dhe e artikujve të tjerë e ka amortizuar vendimin e Qeverisë për ngritjen e pagave, pasi është shtrenjtuar shporta ditore e qytetareve, shkruan sot gazeta Koha Ditore. Mirëqenia e shërbyesve civilë dhe e mësimdhënësve mbetet pothuajse e njëjtë. Por, sipas gazetës, shtresa me e atakuar nga ngritja e çmimeve, sipas ekspertëve, janë të papunët, e që janë rreth 40 për qind e qytetarëve të Kosovës, dhe punonjësit e sektorit privat.
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i institutit RIINVEST, thotë se rritja e pagave është ngushtë e lidhur me rritjen e çmimeve në një relacion pozitiv, pasi çmimet e produkteve bazike po kanë një rritje të dukshme dhe të vazhdueshme.
Rritja e pagave në Kosovë, sipas tij, nuk është bërë për shkak të produktivitetit ose se ka pasur performancë të mirë, por është bërë për të adresuar dhe akomoduar pakënaqësitë sociale me theks të veçantë të sektorit publik. Kjo rritje e pagave, sipas tij, rrit mundësinë për rritje të inflacionit, meqë produkti potencial i Kosovës mbetet i njëjtë, ndërkaq për të njëjtën punë jepen paga më të larta.
“Ky fenomen në praktikën ekonomike njihet si zinxhir ‘pagë-çmim-inflacion’. Sikur pagat të rriteshin nga sektori privat, atëherë domosdoshmërish ne do të kishim rritje të produktivitetit dhe mbajtje të çmimeve konstante”, ka thënë Abdixhiku.
Për drejtorin ekzekutiv të institutit RIINVEST, rritja e pagave për sektorin publik do të ketë efekt negativ për qytetarët që janë të papunë, apo të punësuarit në sektorin privat, pasi preken nga inflacioni, që është në rritje.