Rreziku nga diplomacia paralele

Prishitnë, 16 prill – Koha Ditore, sot, në një shkrim analitik shkruan se Kosova ka tri nivele të përfaqësimit të jashtëm– i pari kushtetues që për hierarki ka presidentin, kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, dhe dy të tjerat që janë nivele zëvendëskryeministrash.Sipas gazetës, zyrtarët qeveritarë kanë thënë se kjo i ndihmon fuqizimit të diplomacisë, por njohës të politikës së jashtme kanë dhënë vlerësimin se degëzimet e këtilla janë krejtësisht të panevojshme, e të cilat shërbejnë për shuarjen e apetiteve individuale të njerëzve të përfshirë në Qeveri dhe për shuarjen e problemeve politike që janë në mes të koalicionit dhe anëtarëve të saj.
Behgjet Pacolli është zëvendëskryeministër dhe nuk di se çfarë është i autorizuar të bëjë.
Në vendimin e kreut të Qeverisë për mandatimin e Pacollit, ndër të tjera, shkruan “i ngarkuar i veçantë për marrëdhënie ndërkombëtare për të siguruar njohje të reja”. Po ashtu, aty thuhet se do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe i ngarkuar “për të sjellë investime të huaja në Republikën e Kosovës”.
Ky nuk është i vetmi zëvendëskryeministër i autorizuar për të futur duart në politikën e jashtme. Është edhe Edita Tahiri. Ajo është zëvendëskryeministre për politikë të jashtme dhe përgjegjëse për dialogim.
Këta janë jashtë linjës zyrtare të përfaqësimit të politikës së jashtme, që është e përshkruar në Kushtetutë dhe ligjet në fuqi: president, kryeministër, ministër i Jashtëm.
Enver Hoxhaj është ministër i Jashtëm dhe ai nuk dëshiron t’i shohë dy mandatarët si autoritete paralele të diplomacisë.
“Emërimi i z. Pacolli në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë me fokus në marrëdhëniet ndërkombëtare, njohjet dhe investimet ekonomike, që shkon shumë me përvojën e tij dhe me profilin e tij, realisht është një mbështetje e fuqishme për shtetin e Kosovës, institucionet dhe për Qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, në mënyrë që Kosova të ketë një agjendë shumë më aktive në fushën e rritjes së numrit të njohjeve. Ne si ministri kemi koordinim të thuktë me z. Pacolli. Ndërsa zonja Tahiri ka një përshkrim të saktë, që ka të bëjë me dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka thënë Hoxhaj. “Kurdo që dy zëvendëskryeministrat kanë nevojë për mbështetjen tonë, për këshilla, rekomandime, sugjerime, jemi në dispozicion të tyre”.
Por jashtë Qeverisë këto emërime shihen ndryshe.