Rexhepi premton arrestime, Veselinoviqi organizon zgjedhjet

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, është zotuar të premten se do të arrestohen të gjithë kriminelët, përfshirë edhe Zvonko Veselinoviqin. Rexhepi e ka pranuar se ka vështirësi për këtë.
Derisa Rexhepi zotohej për arrestimin e Veselinoviqit, ky i kërkuar ka vazhduar të merret me përgatitjet për zgjedhjet serbe, që pritet të mbahen të dielën. Si financues i Partisë Radikale Serbe, Veselinoviq, sipas burimeve të gazetës, po merret intensivisht që kjo parti të dalë fituese.
“Pas lirimit nga Serbia, ai është duke vepruar në Kosovë”, ka thënë një burim brenda Policisë. Këtë nuk e ka përjashtuar as ministri Bajram Rexhepi.
“Realisht e dimë që ai lëviz herë andej e herë këndej, mund të jetë në pjesën veriore”, ka thënë Rexhepi.