Rexhepi: Nuk jam shumë optimist për dialogun

Prishtinë, 17 prill – Është mirë që Beogradi dhe Prishtina më në fund kanë vendosur të merren me çështje për të mirën e qytetarëve, lirinë e tyre të lëvizjes dhe eliminimin e procedurave burokratike, por edhe të animozitetit ndërmjet Kosovës e Serbisë, ka deklaruar në një intervistë për agjencinë serbe FoNet ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi.
Ai ka shtuar se megjithatë “nuk është shumë optimist”.
“Nëse do të kenë sukses këto çështje teknike që të jenë në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë kjo është mirë, por nuk jam një optimist i madh”, ka saktësuar Rexhepi.
Ai ka deklaruar se çështja e targave së shpejti do të jenë temë e bisedimeve Prishtinë-Beograd, dhe ka shtuar se Serbisë do t’i dërgohet propozimi për reciprocitetin e njohjes së targave.
“Qëndrimi i jonë është i qartë. Se çfarë targash do të lëshojmë ne, kjo është çështje jonë e brendshme”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se në afat prej tre muajsh targat e vjetra do të ndërrohen me targat e reja të Kosovës.
Nëse Serbia do të jetë “kokëfortë” dhe nuk i njeh këto, atëherë Prishtina do të sjell vendim unilateral dhe pastaj “Serbia do të detyrohet të gjejë rrugë alternative apo do të jetë e detyruar që në kufi të merr targa të përkohshme dhe të paguajë për këtë e për taksat e rrugës, dhe në dalje t’i kthejë këto”, tha Rexhepi.
I pyetur se si Prishtina do të zgjidhë hetimet dhe do të procesojë krimet e luftë, dhe se a po bëhet diçka në bazë të raportit të Dick Martyt për tregtinë me organe të njerëzve, Rexhepi është përgjigjur se ky raport është “përrallë për fëmijë” dhe “fantazi e sëmurë shkencore” e Martyt.
“Këtë e them si ekspert shumë i lartë – kirurg, i cili e njeh problematikën e transplantimeve”, ka thënë Rexhepi, i cili mendon se pa marrë parasysh akuzat për këtë çështje duhet “njëherë e përgjithmonë të hetohen dhe të hiqen nga rendi i ditës”.
“Ne jemi shumë të interesuar që çështja e krimeve të luftës njëherë e përgjithmonë të përmbyllet. Kanë qenë dy hetime dhe nuk kanë dhënë rezultate. EULEX-i është kompetent për këtë dhe nëse i nevojitet asistimi i policisë sonë, ne e lejojmë këtë”, ka thënë Rexhepi.
Në pyetjen rreth veriut të Kosovës, Rexhepi ka vlerësuar se në atë rajon “ekzistojnë grupe të ndryshme kriminale dhe politike, por edhe me prapavijë ekonomike”.
“Ekzistojnë struktura të MUP-it serb të përkrahura nga ana e Serbisë, të cilat akoma sillen nëpër pjesën veriore. Atje ka deficit të rendit dhe të ligjit”, ka thënë Rexhepi.
“Ne do të vendosim rendin”, ka paralajmëruar Rexhepi, dhe ka përkujtuar se për këtë janë kompetent KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
“Qytetarët janë të lodhur nga kërcënimet dhe grupet e ndryshme kriminale, por këtë nuk kanë guxim ta thonë, sepse kanë presion nga këto grupe”, vlerëson Rexhepi.
Ata mezi presin që të vendoset rendi e ligji, ka vlerësuar Rexhepi, duke shtuar se në veri detyrat kryesore janë vendosja e rendit, ligjit dhe tërheqja e investimeve.
I pyetur se çka do të bëhet nëse serbët nga kjo pjesë e Kosovës kundërshtojnë, Rexhepi është përgjigjur se pas kësaj qëndrojnë institucionet paralele të Serbisë.
“Ato janë jolegale për neve dhe ne në kuadër të Planit të Ahtisarit planifikojmë që deri në tetor të këtij viti të organizojmë zgjedhje në veri të Mitrovicës, por edhe në komunat e tjera veri. Të japim përfaqësues legalë dhe këtë do ta realizojmë”, ka thënë Rexhepi.
Duke i bërë një vështrim kërkesës së shqiptarëve nga Lugina e Preshevës që të jenë pjesë e delegacionit të bisedimeve nga Kosova, Rexhepi ka thënë se për këtë “nuk do të deklarohet, sepse respekton integritetin territorial të Serbisë”.
“Ata janë qytetarë të Serbisë dhe duhet të avancojnë pozitën nëpërmjet institucioneve të veta. Siç janë serbët qytetarë të Kosovës dhe nëpërmjet institucioneve demokratike duhet të avancojnë pozitën këtu”, ka thënë Rexhepi.
I pyetur për bashkëpunimin ndërpolicor, Rexhepi ka vlerësuar se “rrugët e drogës”, të cilat kalojnë nëpër territorin e Kosovës dhe të Serbisë, por edhe format e tjera të kriminalitetit janë arsye për bashkëpunim.