Rexhepi më optimist për liberalizimin e vizave

Prishtinë, 7 maj – Pas takimeve me komisionarin për Zgjerim, Stefan Fule, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka qenë shumë optimist për perspektivën e Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Nga një skepticizëm që ka qenë, prej dje është edhe një optimizëm më i madh edhe nga komisionari për Zgjerim dhe bashkëpunëtorët e tij”, është shprehur Rexhepi. Sipas tij, institucionet vendore janë të përkushtuara në rrugën drejt BE-së.
“Ne e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë, jemi shumë të përkushtuar dhe do të jetë ndoshta një befasi e këndshme edhe për Komisionin Evropian që ne do të lëvizim më shpejt se që kanë pritur”, ka thënë Rexhepi, sipas të cilit udhëzuesi zyrtar për liberalizim të vizave pritet të arrijë në Kosovë brenda tre muajve.
“Nuk mund ta caktoj datën ende, ne do të kemi ende informata të ndërsjella me KE-në, sa më shpejt, aq më mirë, për arsye se ne edhe pa këtë udhërrëfyes e kemi pasur një udhërrëfyes tonin të brendshëm që nuk dallon shumë nga udhërrëfyesi zyrtar, por duhet të jetë pjesa zyrtare ajo që çel rrugë më mirë, ndoshta duhet të jetë për dy apo tre muaj”, ka thënë Rexhepi, duke theksuar që nuk dëshiron të spekulojë për datën e saktë.
“Realisht mund të pritet në këtë kohë dhe synojmë që në vitin 2011 edhe ne të jemi në këtë proces”, ka thënë ministri i Brendshëm në një konferencë për media, pas takimit të katërt të grupit punues për liberalizim të vizave.
Ndërkohë, në takimin e Grupit Punues për liberalizim të vizave, është shpjeguar se Projektligji për klasifikimin e informatave tashmë ka kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe e ka kaluar shqyrtimin e parë me vërejtje shumë të vogla, ndërsa Projektligji për parandalimin dhe luftimin e krimit në kibernetikë, Projektligji për zyrën e prokurorit të shtetit dhe disa projektligje të tjera janë në fazën e miratimit në Qeverinë e Kosovës.