Reagimet e opozitës për takimin Thaçi-Tadiq

Tri partitë opozitare, në prononcimet e tyre, kanë reaguar lidhur me takimin që pati para pak çastesh Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi me ish-presidentin e Serbisë Boris Tadiq, në Dubrovnik të Kroacisë.
Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se “kryeministri i Kosovës e ka detyrë kushtetuese të përfaqësojë Kosovën jashtë vendi. Si kryeministër mund të përfaqësojë Kosovën jashtë vendi dhe të takojë zyrtarë të shteteve tjera, por vetëm si Kryeministër i shtetit të Kosovës. Nëse zhvillon takime me zyrtarë, të cilët nuk e pranojnë si kryeministër të shtetit të Kosovës atëherë është shkelje e Kushtetutës”, tha Gashi për RTK.
Në anën tjetër, Glauk Konjufca nga Lëvizja “Vetëvendosje” këtë takim e vlerëson si të dëmshëm për Kosovën: “Takimi i sotëm i Thaçit me Tadiqin në Dubrovnik të Kroacisë është shenjë tjetër se kjo Qeveri është e gatshme të takohet me politikanë serbë, të cilët janë shkaktarët kryesorë që Kosova mbetet e ndarë, që i paguajnë dhe i kontrollojnë strukturat kriminale serbe në Republikën e Kosovës dhe të cilët për një kohë të gjatë kanë qenë përfaqësues të politikës hegjemoniste të Serbisë në Kosovë, që do të thotë se, kryeministri Thaçi është i gatshëm të takohet edhe me Nikoliqin dhe Daçiqin për veriun e Kosovës”, theksoi Konjufca për RTK.
Kurse, për Burim Ramadanin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ky takim duhet të shihet vetëm shtrëgnim duarsh, pa efekte politike: ”Ky ka qenë vetëm shtrëngim duarsh dhe duhet të shihet si e tillë, dhe nuk mund të ketë efekte politike. Në Samite rajonale apo ndërkombëtare, përshëndetjet formale mund të ndodhin, por ne nuk duam të besojme se ka pasur më shumë se shtrëngim duarsh. Ajo që dihet është se Kosova nuk ka nevojë të fshehet prej Serbise, sepse, ne jemi fituesit e stabilitetit rajonal”, ka thënë Ramadani.