Qipro nuk do të pengojë Brukselin në raport me Kosovën

Ndonëse bën pjesë në pesëshen e shteteve që refuzojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, Qiproja premton se qëndrimi politik nuk do ndikojë në implementimin e vendimeve të Brukselit përballë Kosovës.Ministri qipriot për çështje evropiane Andreas Mavrojanis, vendi i së cilit nga dita e djeshme kryeson me Bashkimin Evropian, ka premtuar sot se “Nikozia zyrtare nuk do ketë agjendë nacionale ndaj Kosovës, por se në gjashtëmujorin e ardhshëm Qiproja do zbatojë secilin vendim të mundshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian”, transmeton RTK.
“Ka mospajtime mes shteteve anëtare të BE-së rreth statusit të Kosovë, 5 shtete nuk e njohin Kosovën, prandaj Bashkimi Evropian është neutral ndaj statusit”, ka thënë Mavrojanis gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës qipriote në Bruksel.
Sipas fjalëve të këtij ministri, Qiproja nuk do pengojë as veprimet eventuale të Brukselit pas publikimit të Studimit të Fizibilitetit, përfshirë këtu edhe mundësinë e nisjes së negociatave të Stabilizim Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Prishtinës zyrtare, krejt kjo që do duhej të ndodhë gjatë mandatit qipriot në krye të BE-së.
“Ne si presidencë do të zbatojmë çfarëdo vendimi i cili do të merrej në Këshillin e BE-së”, ka premtuar Andreas Mavrojanis i cili premton se edhe presidenca qipriote do vazhdojë të promovojë procesin e zgjerimit të Bllokut evropian 27 anëtarësh.