Qeveria “kursen” për shqiptarët në veri

Banesës ku kanë jetuar me dekada të tëra, te lagjja “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicën veriore, i është vënë dryni, ndërsa ndër gjërat e pakta që kanë marrë me vete janë rrobat për vajzën e tyre gjashtëmuajshe. Derisa më shumë se gjysma e anëtarëve të familjes janë vendosur te të afërmit e tyre në jug të Mitrovicës, nusja më e re e kësaj familje, Sh. F. së bashku me foshnjën e saj, është detyruar të kthehet te babai i saj.
Jeta e kësaj familjeje edhe ashtu e vështirësuar nga kushtet e rënda ekonomike dhe mungesa e sigurisë, kohën e fundit është bërë edhe më e rëndë. Të tetë anëtarët që kanë jetuar në një banesë relativisht të madhe pas vrasjes së fqinjit të tyre, Selver Haradinaj, janë detyruar të largohen nga vendbanimi i tyre, shkruan gazeta “Zëri”.
“Kur ne jemi larguar ka qenë situata shumë e rëndë. Në mbrëmje janë larguar shumë familje nga shtëpitë e tyre. Unë jam me fëmijë të vogël, jam larguar menjëherë. Tash për tash jam në Vushtrri te baba, por mendoj që të kthehem, sepse nuk kam zgjidhje tjetër. Nuk po mund të rrijmë nëpër dyer të huaja, nuk po mund të rehatohesh, bile unë e kam shumë të vështirë që kam edhe fëmijë të vogël”, thotë nusja Sh. F., e cila preferon që të mos i dalë emri në gazetë.
Deputetët e partive opozitare akuzojnë Qeverinë e Kosovës se nuk është e interesuar që t’i parandalojë largimet masive të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës. Ata madje akuzojnë ekzekutivin kosovar se është bërë pjesë e spastrimit etnik të veriut, ndërsa theksojnë se është e pakuptimtë se si autoritetet në Serbi ndajnë buxhet të veçantë për ta mbajtur nën kontroll këtë zënë të vendit, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje t’iu ofrojë shqiptarëve të atjeshëm qoftë një lloj ndihme sociale, e cila përveç tjerash do t’i motivonte ata që të mos i braktisnin shtëpitë e tyre por të jetojnë në to.
Këtë e mohon zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili thotë se ekzekutivi ka shpenzuar mjete në shumë projekte në veri.